Prishtinë, 3 qershor, NOA - Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë një ndër sektorë më të kritikuar si mos-funksionues. Kjo thuhet në raportet e shumë organizatave që monitorojnë sistemin gjyqësor në Kosovë duke përfshirë edhe raportin e progresit për Kosovën.
Raporti i fundit ishte një studim i bërë në kuadër të një projekti të financuar nga qeveria amerikane për gjendjen e gjyqësisë në Kosovë, çka nxori në pah se mbi 200 mijë lëndë gjyqësore të natyrave të ndryshme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Zyrtarë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai prokurorial, thonë se mungesa e gjyqtarëve dhe e prokurorëve ka bërë që të ketë një numër të madh të lëndëve gjyqësore të pazgjidhura.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Haki Demolli, thotë për DW-në, se gjendja jo e mirë në drejtësinë kosovare ka të bëjë edhe me tranzicionin nëpër të cilin ka kaluar dhe po kalon Kosova. Mirëpo, ai premton një reformim të sistemit të drejtësisë kosovare.
Kompletimi i infrastrukturës ligjore, i domosdoshëm
“Në kuadër të reformimit, mendoj se angazhimi i Ministrisë së Drejtësisë do të jetë kompletimi i infrastrukturës ligjore, për të cilën jemi duke punuar pikërisht në këtë fazë, sepse njëra prej vërejtjeve në raportin e progresit ishte pikërisht mungesa e infrastrukturës ligjore. Po ashtu, ministria e Drejtësisë është duke punuar në dy kodet penale, në kodin penal dhe kodin e procedurës penale”, thotë Haki Demolli, ministër i Drejtësisë.
Misioni evropian për polici dhe drejtësi EULEX, është vendosur në Kosovë dy vjet më parë dhe detyrë e këtij misioni është që të ndihmojë autoritetet kosovare në vendosjen e rendit dhe ligjit.
Ky mision sipas zyrtarëve të tij, ndihmon prokurorët kosovarë që të hetojnë në raste të rënda siç janë, krimi i organizuar, korrupsioni dhe veprat terroriste. Ndërsa me veprat e shkallës më të ulët merren prokurorët vendas.
“Unë po marr një shembull vetëm në zyrën e prokurorisë së qarkut në Prishtinë ka 100 raste të korrupsionit, që janë duke u hetuar nga prokurorët kosovarë”, tha Kristina Herodes, pas një konference, ku u diskutua mbi sistemin prokurorial të Kosovës.
Në Kosovë mungon vullneti për të përmirësuar sistemin e drejtësisë
Ndërkohë, shoqëria civile nga ana e saj, vlerëson se sistemi gjyqësor kosovar që nga paslufta nuk ka funksionuar në dy fusha kryesore: në atë të së drejtës civile të antikorrupsionit. Avni Zogjani nga organizata joqeveritare “Coku”, që monitoron funksionimin e sistemit të drejtësisë kosovare, thotë për DW-në se problemi i moszgjidhjes së lëndëve gjyqësore ka të bëjë me kuadrin që merret me shqyrtimin e rasteve: “Mosha mesatare e gjyqtarëve dhe e prokurorëve kosovar është diku rreth 65 vjeç. Dhe që nga përfundimi i luftës asnjë profesionist i ri nuk është punësuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, thotë Avni Zogjiani.
Zogjiani, thotë se në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka ndikime nga më të ndryshmet.
Ndikime në sistemin e drejtësisë
“Nuk është fjala vetëm për ndikime politike, por ndikime nga më të ndryshmet, që nga nepotizmi, korrupsioni, ryshfeti e tjera, e tjera. Pra me një fjalë, në Kosovë nuk ekziston një gjyqësor profesional i paanshëm, i pavarur dhe me integritet”, thotë Avni Zogjiani.
Që nga shpallja e pavarësisë dhe miratimi i kushtetutës, Kosova ka arritur të krijojë organet e drejtësisë të cilat duhet të funksionojnë të pavarura nga qeveria. Organet e pavarura në sistemin e drejtësisë kosovare, janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese.
DVelle