English

Nis Restaurimi I Mozaikut Të Muzeut Historik Kombëtar

- Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Arbër Kadia, thotë për ATSH-në se ky restaurim do të kushtojë 1.5 milionë lekë të reja- TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Tiranë dhe Instituti i Monumenteve kanë vendosur që fasada qëndrore e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë t'i nënshtrohet procesit të restaurimit. Mozaiku masiv i Muzeut Historik Kombëtar, prej 440 metrash katrore, ka vite që paraqet probleme në shkëputjen e copëzave që e formojnë atë, për shkak të veprimit të faktorëve atmosferikë. Ky restaurim do të kushtojë rreth 1.5 milionë lekë të reja. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Arber Kadia, në një intervistë për ATSH- në, thotë se "ka filluar faza e parë e restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, që është mozaiku më i madh në Ballkan, i cili për nga rëndësia dhe vështirësia e restaurimit është një nga projektet më të vështira që ka ndërmarrë drejtoria jonë bashkë me specialistët e saj". "Me ngritjen e skelerisë, e cila ka ardhur si një financim i 'Skela Syla', na jepet mundësia të shikojmë nga afër gjendjen fizike të këtij mozaiku", tha Kadia, duke shtuar se "është hera e parë që një biznes privat shtrin dorën drejt monumenteve të kulturës". Drejtori Kadia sqaron se ky restaurim do të përshijë dy faza. "Në fazën e parë do të bëhet hulumtimi, analiza fizike dhe analiza kimike përsa i përket agjentëve atmosferikë dhe elementëve të ndryshme që janë përdorur në konstruksionin fillestar". Sipas tij, "pasi të mbarojë kjo fazë e parë, që mendohet të zgjasë 1-3 muaj në varësi të gjendjes aktuale, do të vijojmë me fazën dytë, ku do të bëhet implementimi i preventivit dhe projektit, që do të dalë si rezultat i fazës hulumtuese, fazë kjo e cila pritet të zgjasë rreth 3 muaj, ku ne do të merremi me pastrimin dhe injeksionin e atyre gropëzave dhe barqeve që ka krijuar mozaiku me kalimin e kohës". Duke folur për gjendjen aktuale të mozaikut Kadia pohon se "në këtë fazë ttë parë është vrejtur se armatura, e cila është e përforcuar nga një bazë hekuri, me fisha dhe shufra hekuri, me kalimin e kohës kanë krijuar një plasaritje, e cila duke u ndryshkur hekuri, ka bërë një shtysë të teserave". "Ne do të mundohemi të vërtetojmë nëse ka nevojë të pastrohet e gjithë armatura, apo nëse ka nevojë për mbushjen në vende të caktuara, pra jemi në fazën hulumtuese, sepse është hera e parë që ndërhyet pas 30 viteve", u shpreh ai. Kadia shtoi se "jo vetëm mozaiku, por edhe shumë zona të tjera të Shqipërisë, kanë vlera për të cilat ne duhet të kujdesemi më shumë dhe është detyrë jo vetëm t'i promovojmë, por t'i ruajmë ato". Duke u ndalur te disa nga projektet e DRKKT-së, Kadia thotë se "pritet që së shpejti të hartohet projekti për restaruimin e kullës së sahatit të Elbasanit, ku dhe për të do të ndiqet e njëjta procedurë". Mozaiku "Shqipëria" është më i madhi i këtij lloji në Shqipëri. Ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar në vitin 1981. Artistët që kanë realizuar mozaikun "Shqipëria" janë Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini./s.s./
KOMENTE
  • Ledi Shabani01:01 - 03 Maj 2011
    JAM SHUM KRENARE QE ,VEPRAT E ARTIT SHQIPETAR PO RESTAUROHEN,TI JAPIM ME SHUM VLERA , E MENDOJ SE DUHET TE FLASIN ME SHPESH PER VEPRAT E ARTISTEVE TE MEDHENJ TE SHQIPERIS, SEPSE TE GJITH DUHET TI DIJME E TE NDIHEMI KRENARE, QE KEMI DITUR TI MBROJME E TI TRASHIGIMOJME BREZE PAS BREZI. MENDOJ SE TE GJITH TE RIJNT SHQIPETAR DUHE TE JENE NE DIJENI PER ARTIN QE KA QENE DHE ESHTE , NE SHQIPERI , SEPSE ,MBART NJE HISTORI , KULTURE, EDUKATE,QE NA BENE TE NDIHEMI ,TE VECANTE.UROJ NJE PUNE SA ME TE MIR E BUKUR ARTISTAVE TE RINJ , E UROJ SA ME SHUM, ART NE SHQIPERI E SA ME SHUME DESHIRE PER DIJE , ( PER TE NJOHUR EDHE ME TEJ ARTIN NE SHQIPERI )POPULLIT SHQIPETAR.