Osbe -Okb Mbështesin Shqipërinë Në Rritjen Dhe Forcimin E Barazisë Gjinore
TIRANË, 3 Qershor/ ATSH-Erla Gjikolli/. - Kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së Gulden Turkoz-Cosslett, apeluan sot në Konferencën dyditore Kombëtare "Sfida ndaj Stereotipeve Gjinore", për mundësi të barabarta gjinore dhe inkurajimin e grave në përfaqësimin politik.
Vlerësime të ndryshme të përputhshmerisë së Shqipërisë me konventën e OKB-së për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, tha ambasadori Bosch "kanë treguar se edhe pse legjislacioni shqiptar është në përgjithësi në përputhje me kërkesat e kësaj konvente, stereotipet janë ende të fuqishme në Shqipëri".
Sipas tij, pabarazi ka në tre fusha: poltikë, ekonomi dhe në marrëdhëniet familjare. Vitet e fundit ka një përmirësim të dukshëm të kuadrit ligjor, në këtë drejtim, vlerësoi Bosch, duke shtuar se përfundimet dhe rekomandimet që do të dalin nga punimet e konferencës dyditore, do t'i shërbejnë draftit të ri të rishikuar të Strategjisë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe Dhunën në Familje.
Qëllimi i këtij drafti, tha ambasadori Bosch, "do të jetë barazia gjinore në çdo aspekt të jetës publike dhe politike".
"OKB do të mbështesi Shqipërinë në nismat e saj për rritjen dhe forcimin e barazisë gjinore", u shpreh Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Gulden Turkoz-Cosslett, duke shtuar se "stereotipet gjinore dhe perceptimet e njerëzve mbi rolin e grave dhe burrave, janë shpesh burimi i të gjitha formave të diskriminimit kundër grave dhe burrave në të gjitha fushat".
Turkoz-Cosslett, tha se pavarësisht arritjeve të Shqipërisë në garantimin e barazisë gjinore, nevojitet më shumë punë për të trajtuar stereotipe gjinore që shpesh herë përcaktojnë rolet që gratë dhe burrat luajnë në shoqëri.
Për këtë arsye, konferenca e nisur sot, gjatë punimeve të saj do të vështrojë impaktin qe kanë stereotipet gjinore në avancimin e grave në fushën e vendimmarrjes, arsimit, sigurisë ekonomike, mbrojtjes sociale, shëndetesisë si dhe rolin që luajnë këto stereotipe gjinore në fenomenin e dhunës brenda familjes. /a.ke/