Princi Michael: Ne Në Britani Ruajme Nje Ndjenje Te Veçante Per Kosoven
PRISHTINË, 3 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti sot pasdite në Prishtinë në një takim të përzemërt Lartmadhërinë e Tij, Princin Michael të Kentit.
"Vizita jonë në Kosovë është moment i një krenarie të madhe. Ajo na mundëson të shohim çfarë mund të sjellim ne nga Britania në lëmin e investimeve në këtë vend", tha Lartmadhëria e Tij, Princi Michael, pas takimit me Presidentin Sejdiu.
Pa dyshim, vijoi Princi, ne në Britani ruajmë një ndjenjë të veçantë për Kosovën, siç e kemi dëshmuar me përfshirjen tonë direkte në vendin tuaj gjatë viteve të fundit.
Ndërsa, Presidenti Sejdiu, duke u shprehur i kënaqur për mundësinë që kishte për të pritur dhe për të biseduar me Princin Michael nga Mbretëria e Bashkuar, tha se kishin ndarë mendime të përbashkëta për ecjen e mëtejshëm dhe për mbështetjen që do t'i jepet Kosovës.
"Me Princin Michael rame dakord për ecjen e mëtejshme dhe për mbështetjen që do t'i jepet Kosovës. E falënderoj Princin për mbështetjen e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, si dhe për përkushtimin e saj që Kosova të jetë një vend me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe vend i perspektivës së të gjithë qytetarëve", theksoi Presidenti Sejdiu.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se e vlerësonte qëndrimin e lartmadhërisë së Tij, Princit Michael, për angazhimin dhe ndikimin e tij te vendet mike dhe njerëzit që njeh për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.
Lartmadhëria e Tij, Princi Michael i Kentit, së bashku me një delegacion të biznesmenëve dhe investitorëve të njohur nga Britania e Madhe, mbërriti sot per vizitë në Republikën e Kosovës. /a.ke/