Tiranë, 3 qershor, NOA – Duke iu referuar zhdukjes së vajzës 6-vjeçare me emrin Belona Mata, në fshatin Zapod të Kukësit prej mëse 12 ditësh, Partia Socialiste ka dalë sot me një deklaratë për shtyp, përmes të cilës ka kritikuar strukturat përkatëse të policisë për dështim dhe mungesë profesionalizmi.
Në emër të saj, deputeti Asllan Dogjani, ka deklaruar se “koha po kalon dhe familjarët nuk kanë asgjë të re për fëmijën e zhdukur, duke treguar kështu pamundësinë e policisë për ta zgjidhur këtë çështje”.
“Ne të gjithë si qytetarë dhe prindër jemi thellësisht të prekur nga pafuqia e forcave të rendit për të nxjerrë në dritë rrethanat misterioze të zhdukjes së 6-vjeçare”, tha deputeti Dogjani.
Duke shtuar më tej se “të gjithë shqiptarët i kanë parë nëpërmjet medias pamjet e trishtueshme të varfërisë dhe mjerimit ekonomik, të banorëve dhe fëmijëve të kësaj zone, pamje që nuk kanë nevojë për koment”.
“Ne, sot jemi përballë një realiteti të frikshëm dhe një dyshimi të tmerrshëm. Është rritur pasiguria në shkolla, jo pak fëmijë shkojnë të armatosur, është rritur pasiguria tek qytetarët, të cilët nuk e ndjejnë veten të sigurt në vendin e tyre, në rrugët e tyre, në familjet e tyre dhe kjo na alarmon të gjithëve”, apeloi Dogjani.
“Partia Socialiste shpreh shqetësimin për mungesën e profesionalizmit dhe tendencën e strukturave të policisë së shtetit për ta sfumuar ngjarjen nëpërmjet deklaratave të ndryshme dhe shpesh herë kontradiktore vetëm e vetëm për ti shpëtuar përgjegjësisë përpara opinionit publik”, tha më tej ai.
Duke shtuar se Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë që sa më parë të vlerësojë situatën e pasigurisë në vend dhe të marrë të gjitha masa e të përdorë të gjitha mjetet për zbulimin sa më të shpejtë të kësaj ngjarje të trishtueshme, gjetjen e Bleonës së vogël, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’u kthejë besimin banorëve të kësaj komune, qytetarëve të qarkut Kukës dhe prindërve të të gjithë Shqipërisë.
n.e/NOA