English

"Rrugëtime Paralele", Ekspozita Antologjike E Franceskanit Lin Delija

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- Veprat e piktorit të njohur shqiptar, Lin Delija, u prezantuan të enjten ne mbremje në ekspozitën antologjike "Rrugëtime paralele", në Muzeun Historik Kombëtar. Në rreth 60 piktura që variojnë nga arti sakral, te portreti, peisazhi, natyra e qetë, dalin në pah thelbet figurative e konceptuale që përbëjnë sot edhe tiparet identifikuese të pikturës së Delisë. I formuar dhe edukuar në vatrën e njohur të arsimit shqiptar, në bankat e liceut "Illyricum", të Etërve Franceskanë në Shkodër, ai u largua nga Shqipëria në vitin 1949, për të kërkuar lirinë në art dhe në jetë, por Shqipërinë e mori kudo me vete. Kjo vihet re tek pikturat "Krishti dhe shqiptari", "Heronjtë shqiptarë" pikturë e vitit 1972, "Zoja e shqiptarëve" në vitin 1970, "Shkodrania" në vitin 1950 etj". Nënkryetari i Bashkisë së qytetit të Antrodokos në Itali, qytet i cili prej vitit 2002 ka një muze kushtuar Lin Delisë dhe miku i ngushtë i piktorit shqiptar, Armando Nicoletti, tha se, "Lin Delija mbante lidhje shumë të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë antikomunistë që vepronin në Itali". Ai tha se "një nga ëndrrat e Delisë pas rënies së komunizmit ishte të pikturonte brenda katedrales së Shkodrës dhe dëshironte t'i dhuronte Galerisë Kombëtare të Arteve disa vepra të tijat". Nicoletti shtoi më tej se, "sot jemi në një kohë kthese, Lin Delija po kthehet në atdhe e kësaj herë jo vetëm si artist, por vepra e tij është vlerësuar nga shqiptarët, intelektualët dhe nga ata që e duan artin e vërtetë". Gjatë këtij prezantimi u promovua botimi i katalogut të ekspozitës "Lin Delija, Rrugëtime paralele", kushtuar veprës së tij me punimet e përzgjedhura, me komente, analiza, si dhe me parathënie të shkrimtarit të njohur të letrave shqipe, Ismail Kadare. Gjithashtu, gjatë këtij aktiviteti u promovua edhe numri i fundit i revistës albanologjike "Hylli i Dritës", kushtuar tërësisht piktorit të mirënjohur shqiptar, Lin Delija. Kush është Lin Delija: Lin Delija lindi në Shkodër me 3 shkurt 1926. U rrit dhe u edukua në shkollën e Etërve Françeskanë, ku mori hov së pari talenti i tij artistik dhe ku u njoh me përfaqësuesin më të njohur të kolegjit franceskan, At Gjergj Fishtën. Në vitin 1948 arratiset në Jugosllavi ku studioi së pari në Herceg Novi dhe mandej në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. Më vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli, prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Në vitin 1969 Lin Delija themelon Akademinë e Artit "Gjergj Fishta" dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit "Carlo Cesi" në vilën Mentuçia në Antrodoko. Në vitin 1981 takohet me Nënë Terëzën dhe realizon një seri pikturash dhe vizatimesh me imazhin e saj. Piktori Lin Delija ndërroi jetë më 9 prill 1994 në Romë në moshën 68 vjeçare. Sot veprat e tija ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin «Lin Delija» në Antrodoko, në Muzeumin Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangen-it në Gjermani, në New York etj. Në qytetin e Osimo-s ekziston një muzeum kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodoko-s i kanë ngritur një muzeum në vitin 2002 në qytetin që i dha strehë bujare. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, më 24 maj i akordoi Lin Delisë (pas vdekjes) Urdhrin "Nderi i Kombit" me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. /a.ke/
KOMENTE