Sarande: Universiteti "Leeds" Vlereson Me Çertifikata 38 Nxenes Me Te Mire Ne Matematike
SARANDË, 3 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - 38 nxënës, nga të cilët 10 nga shkolla 9- vjeçare "Adem Sheme", 11 nga "9 Tetori", 5 të shkollës së mesme jopublike "Dea 2001" dhe 12 të shkollës së mesme "Hasan Tahsni", janë vlerësuar si nxënësit më të mirë në matematikë në testin e organizuar nga Universiteti "Leeds", një nga universitetet më prestigjiozë dhe më të vjetrit nga 10 të tillë në Angli.
Ceremonia është organizuar në mjediset e bibliotekës së shkollës "Adem Sheme", ku Dr. Hilary Faulkner, koordinatore internacionale, përfaqësuese e akademisë "Thomas Deacom", ka shpërndarë për të 38 nxënësit e vlerësuar çertifikata bronzi, argjendi dhe ari.
Faulkner tha se nxënësit pjesëmarrës nga tre shtete, Sllovakia, Shqipëria dhe Anglia, iu nënshtruan një testimi në kuadër të një projekti ndërkombëtar. Ajo ka vlerësuar faktin që nxënësit e shkollave të Sarandës iu përgjigjën kërkesave të larta të testimit, që u organizua në mjediset e filialit universitar në Sarandë. Ndersa pergjigjet e çdo pjesëmarrësi u përcollën në rrugë elektronike në Angli. /a.ke/