Shënim/ Japoni - Naoto Kan, Ministri I Financave Që Nesër Mund Të Bëhet Kryeministër
TOKIO, 3 qershor /ATSH-ANSA/ - Naoto Kan, ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri japonez, mund të bëhet nesër personi që do të marrë drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Yukio Hatoyama.
Pavarësisht surprizave të momentit të fundit, duket se nesër kryeministri i ri i vendit do të caktohet zëvendëskryeministri aktual dhe njëkohësisht ministri i Financave, pra pikërisht Kan.
Shanset që Kan të caktohet kryeministër u rritën shumë kur dy kandidatët e tjerë, ministri i Transporteve Seiji Maehara, dhe ministri i Jashtëm Katsuya Okada, shprehën mbështetjen për ministrin e Financave.
Kan, 63 vjeç, pas angazhimeve në moshë të re si aktivist për të drejtat civile në vitet Shtatëdhjetë, u fut në botën e politikës në vitin 1980, deri kur në vitin 2006, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë, denoncoi përgjegjësinë e ministrisë për skandalin e shpërndarjes së gjakut të infektuar me HIV.
Në mbrëmje, duke folur për gazetarët në përfundim të një dite të gjatë takimesh, Kan ritheksoi konceptin e tij për barazi, duke mbështetur politika të afta për të balancuar rritjen dhe rimëkëmbjen e financave publike.
"Rritje ekonomike, reforma fiskale dhe përmirësim të sigurisë shoqërore, janë sektorët me të cilët mundë të përballemi dhe ti vlerësojmë si një çështje të vetme", deklaroi Kan, mbështetës i një reforme të sistemit fiskal, që përfshin edhe objektivin jo popullor për rritjen e taksave për produktet e konsumit, kombinuar me dobësimin e jenit krahasuar me vlerat aktuale.
Kan deklaroi gjithashtu se, nëse do të marrë në duar drejtimin e qeverisë, do të vazhdojë përpjekjet për reduktimin e peshës së bazave ushtarake amerikane në Okinawa, në bazë të marrëveshjes ndërmjet Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara që u arrit javën e kaluar dhe që solli dorëheqjen e parevokueshme të Hatoyamas.
/e.v/