English

Shkoder: Banda E Qytetit, Prezantim Dinjitoz Ne Festivalin Nderkombetar Te Bandave Muzikore

SHKODËR, 3 Qershor/ATSH-G. Marku/- Banda muzikore e Shkodrës ka marre pjese ne Festivalin Ndërkombëtar të Bandave Muzikore, i cili tradicionalisht organizohet në Giulianova të Italisë. Për artistët shkodranë kjo ka qënë pjesëmarrja e dytë në këtë eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë grupe muzikore nga vende të ndryshme të botës. Zëdhënësi i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Dibra, i cili shoqëroi grupin në Itali, tha për ATSH-në se në edicionin e sivjetëm, i cili është i 11-ti, Banda muzikore e Bashkisë së Shkodrës, në cilësinë e fitueses së edicionit të kaluar, merrte pjesë si e ftuar nderi. Publiku i shumtë i Giulianovës i ka rezervuar një pritje të ngrohtë artistëve shkodranë. Ndonëse, sipas rregullores, fituesit e një sezoni më parë përfaqësohen jashtë konkurimit, duatrokitjet e shumta nga qytetarët italianë të Giulianovës, por edhe pergezimet e anëtarëve të jurisë, folen qartë për reputacionin që gëzonin artistët shkodranë në këtë aktivitet. Gjatë ditëve të festivalit, nuk kanë munguar të jenë të pranishëm edhe shumë shqiptarë me banim në Itali dhe sidomos bashkëqytetarë nga Shkodra, të cilët e kanë përcjellë me dashuri interpretimin e tyre duke u ndjerë jashtëzakonisht krenarë përpara komunitetit italian për atë çfare prezantonte grupi i qytetit të tyre. I kënaqur nga paraqitja e bandës muzikore të Shkodrës është shprehur edhe Kujtim Alija, dirigjent i bandës, në dispozicion të të cilit kanë qënë 44 instrumentistë dhe dy këngëtaret e njohura Dorina Garuci dhe Klodiana Brahimi. "Ndonëse nuk morëm çmim zyrtar, vetë vlerësimi që na dhanë autoritetet e festivalit, drejtuesit e bashkisë së Giulianovës, si dhe vetë qytetarët e saj, na bene qe te ndiheshim fitues moralë". Sipas tij, në repertorin e grupit të tyre muzikor përfshiheshin pjesë popullore të përshtatura për Bandë, klasike të autorëve tanë dhe atyre të njohur botërore. Ne përfundim të këtij aktiviteti, presidenti i Festivalit, Mario Orsini, tha se "Banda muzikore e Shkodrës, ndonëse jashtë konkurimit, ka qënë me të vertetë bukuria e festivalit dhe për këtë meriton përgëzime të shumta". /a.ke/
KOMENTE