Sport-Dossier/ Meksikë 1986, Maradona Ndriçon Botën Me Ndihmën E "Dorës Së Zotit'
TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/.- Meksika u bë vendi i parë që po organizonte finalet e Kupës së Botës për herë të dytë në territorin e vet. Atë vit spektakli i madh i futbollit u kthye në skenën botërore, por kësaj radhe jo më nga Brazili, por nga Argjentina, e cila doli fituese e frymëzuar nga kapiteni i saj, Diego Maradona, i cili e dominoi turneun në një mënyrë që më parë ishte bërë vetëm nga Pele.
Statistikat tregojnë se nr. 10 i Argjentinës shënoi 5 gola dhe krijoi 5 të tjerë nga totali i 14 golave rrugës për në finalen e madhe, që përfundoi 3-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore, e pozicionuar në vend të dytë për herë të dytë radhazi. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Madhështia e një prej golave të Maradonës dhe dyshimi i një tjetri e bënë atë të quhej "gjysmë engjëll e gjysmë djall", etiketim i ardhur nga gazeta franceze "L'Equipe".
Të dy ata gola u shënuan gjatë gjysmëfinales me Anglinë në stadiumin "Azteca", duke e kthyer ndeshjen në një etalon për ato në vijim. Goli i parë u komentua nga Maradona sikur kishte ardhur nga dora e Zotit, një goditje e topit me krah, duke e ndihmuar atë të kapërcente portierin Peter Shillton, ndërkohë që ky i fundit po mundohej të grushtonte.
Goli i dytë, i shënuar 3 minuta më vonë, u bë nga këmbët e një gjeniu, duke e rimarrë topin brenda gjysmës së fushës, "Diegitoja" kreu një driblim, i cili la gojëhapur dhe me duar kryq 5 lojtarë anglezë, përfshirë këtu edhe portierin Shilton.
Meksika pati fituar të drejtën për të organizuar Kupën e Botës në 1986-n, pasi Kolumbia hoqi dorë për arsye të krizës financiare. Një tërmet i tmerrshëm përfshiu vendin një vit më parë, por struktura e stadiumeve mbeti e paprekur, duke u dhënë mundësinë meksikanëve të përjetonin një turne të paharrueshëm.
- Goleada e Linekerit
Edhe pse Maradona ishte ylli i momentit, ky turne kishte edhe heronj të tjerë, mes tyre anglezin Gary Lineker, fitues i "Këpucës së Artë". Lineker shënoi 6 gola - tre prej të cilëve në një ndeshje vendimtare grupi kundër Polonisë duke ndihmuar skuadrën e tij të rikuperojë një fillim të dobët dhe humbjen e kapitenit të dëmtuar Bryan Robson. Ndërkohë që Anglia po humbte 2-0 ndaj Argjentinës, ai ngushtoi diferencën e golave.
Danimarka, një prej tri vendeve të reja që debutuan në Kupën e Botës bashkë me Irakun dhe Kanadanë, e nisi praninë e saj në turne me një karakter sulmues, i cili i dha 3 fitore radhazi. Njëra prej tyre qe kundër Gjermanisë Perëndimore, duke i siguruar nofkën "dinamiti danez". Sulmi i tyre përfshinte Michael Laudrup dhe Preben Elkjaer, i cili shënoi me penallti ndaj Uruguait, duke e shkërmoqur këtë të fundit me një rezultat 6-1.
Bashkimi Sovjetik shënoi fitoren më të thellë të raundit të parë, duke mundur 6-0 Hungarinë. Ai u paraqit me një skuadër plot kampionë fitues të Kupës UEFA, me Dinamon e Kievit si Igor Belanov. Ai do të votohej shpejt si futbollisti evropian i vitit 1986.
Ashtu si danezët, edhe sovjetikët dolën fitues në raundin e tyre të parë, por ngecën në të dytin, duke humbur ndaj Belgjikës 3-4. Performanca e Belanovit në Leon atë ditë e bëri atë burrin e tretë që ka ekzekutuar një penallti edhe pse ishte në anën humbëse. Goditja e Danimarkës qe akoma dhe më e fortë: ajo u mund 6-1 nga Spanja, për të cilën Emilio Butragueno shënoi 4 herë.
- Maroku shkruan historinë
Kjo Kupë e Botës pati një format të ndryshëm përderisa faza e dytë u eliminua dhe ia la vendin një raundi me 16 skuadra (me eliminim direkt). Kjo do të thoshte se 4 vendet e treta më të mira kaluan të gjitha dhe nuk pati nevojë për një "shans" të dytë për Marokun, i cili u shpall skuadra e parë afrikane që e kaloi raundin e parë, pasi fitoi ndeshjet e tyre në grup falë një fitoreje 3-1 ndaj Portugalisë.
Gjermanët kishin nevojë për një penallti për të kaluar mikpritësit e Meksikës për të cilët Manuel Negrete kishte shënuar më parë një prej golave më të mirë të finaleve, një goditje gërshërë spektakolare kundër Bullgarisë. 3 nga 4 finalistet ishin pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. Ndërkohë që Belgjika ia doli të mundte Spanjën edhe nëpërmjet portierit Jean-Marie Pfaf, Franca u dha fund shpresave të Brazilit në një ndeshje të përshkruar nga Pele si "historike".
Franca, kampionia e Evropës, kishte eliminuar tashmë mbajtësit e titullit, Italinë, pa menduar se do të ndeshnin një rival akoma më të fortë në Amerikën e Jugut. Francezët nuk vazhduan më tej, kur barazuan 1-1 duke humbur mundësinë e fitores, pasi portieri Joel Bats ia doli të grushtonte penalltinë e Zicos.
Edhe pse Michel Platini nuk ia doli të realizonte një goditje, mesfushori Luis Fernandez ia doli për ta përcjellë Francën në raundin e mëpasshëm. Për fat të keq për Les Bleus, atyre iu desh të luanin tashmë për vend të tretë, pasi nuk ia dolën të përballonin Gjermaninë Perëndimore në gjysmëfinale.
Maradona shënoi një gol tjetër, duke kujtuar atë të shënuar në ndeshjen me Belgjikën, por kësaj radhe nuk e pati hiç të lehtë, duke qenë se ishte i mbuluar më së miri dhe i lënë në hije nga mbrojtësi Lothar Matthaus.
Një prej heronjve të skuadrës së Carlos Bilardos, Jose Luis Brown, nisi goleadën e finales. Ishte radha e Jorge Valdanos për të dyfishuar, por gjermanët iu kthyen luftës për titullin me anë të Karl-Heinz Rummenigge dhe Rudi Voller.
Por në fakt, as Matthaus nuk ia doli ta mbante Maradonën të qetë për 90 minuta. Barazimi zgjati vetëm tri të tilla. Goli i tretë për amerikanojugorët u dha atyre kurorën e dytë të Kupës së Botës, duke i lënë gjermanët dinjitozë në vendin e dytë, për të dytën herë radhazi.
- A e dini se?
Finalja midis Argjentinës dhe Gjermanisë Perëndimore ishte ndeshja e 19-të e luajtur në stadiumin "Azteca". Ky ishte një rekord më vetë, pasi ky impiant gjigant ka pritur në Botërorin e 1970-ës plot dhjetë takime.
Askush nuk ka luajtur më pak minuta në një finale botërori sesa argjentinasi Marcelo Trobbiani, i cili vrapoi vetëm për dy minuta në finalen e 1986-ës.
Brazili festoi ditëlindjen e 41-të të Pat Jennings, duke mundur Irlandën e Veriut, por Mishel Platini ndihmoi Francën të eliminonte Seleçaon kur Jennings mbushi 31 vjeç.
Një zëvendësues i Anglisë në ndeshjen e këtyre të fundit me Marokun u kthye në një problem për komentatorët, sepse ata kishin tashmë dy Gary Stevens në fushë!
Pasi shënoi 9 minuta pas fillimit të lojës në finalen e 1982-shit sulmuesi i Italisë, Alessandro Altobelli, shënoi edhe golin e parë në finalet e Meksikës kundër Bullgarisë. /s.s./