English

Sport-Futboll/ Fitorja Minimale Ndaj Andorrës, Pozitive Për Lojtarët E Kombëtares

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ Futbollistët e kombëtares shqiptare e kanë vlerësuar si një ndeshje pozitive fitoren 1-0 ndaj Andorrës, të mërkurën në mbrëmje në stadiumin "Qemal Stafa". Sulmuesi i Augsburgut në Bundesligën 2 gjermane, Edmond Kapllani u shpreh se, "e rëndësishme është që fituam, lëvizëm mirë në fushë, patëm disa mundësi të mira dhe Andorra nuk sulmoi shumë, prandaj e kishim të vështirë të gjenim hapësira. "Megjithatë,- shtoi sulmuesi durrsak - gjatë 90 minutave e dominuam ndeshjen dhe mund të shënonim edhe gola të tjerë. Fitorja është gjithnjë pozitive, pavarësisht kundërshtarit. Shqipëria kur është favorite ka gjithnjë vështirësi". Ndërsa sulmuesi i Zorjas në kampionatin ukrainas, Parid Xhihani, që debutonte me ekipin kombëtar, tha se, "Kombëtarja po vijon të ketë një ecuri pozitive. Me ardhjen e trajnerit Kuzhe ka pasur një frymë të re në ekip. Përsa i përket pozicionit tim, Kuzhe mendon se mund të luaj edhe në mesfushë apo në krahun e sulmit, rëndësi kam që të jem në kombëtare. Xhihani foli edhe për të ardhmen e tij tek Zorja, ku megjithëse ka ende një vit kontratë me klubin ukrainas nuk e mohoi mundësinë për të ndryshuar ekip sezonin e ardhshëm.
KOMENTE