Fitimi llogaritet të jetë 80% më i lartë se tremujori i parë i vitit 2009
Tiranë, 3 Qershor NOA – Tirana Bank ka shënuar një performancë mjaft të mirë gjatë tre mujorit të parë të vitit 2010 duke arritur një fitim neto prej 2,4 milionë Euro, apo 80 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pavarësisht një rritje prej 8% të provigjioneve (1.4 milionë euro).
Ndërsa bëhet e ditur se të ardhurat nga interesi neto janë në nivelin e 6.2 milionë Euro, ose + 17% nga viti në vit.
Në sajë të një menaxhimi mjaft efikas shpenzimet operative kanë patur një rritje të lehtë prej 6% nga viti në vit (3,6 milionë euro), pavarësisht çeljes së degëve të reja.
Si rezultat raporti shpenzime/të ardhura është rreth 47% krahasuar me 55%, një vit më parë. Në sajë të çeljes së tre degëve të reja, numri në total i degëve ka shkuar në 50 të tilla.
Pozicioni i fortë financiar i Tirana Bank konfirmohet edhe nga niveli i ulët i kredisë me probleme e cila mbetet në nivelin e 7.1% të totalit të portofolit të kredisë (shumë më i ulët se sistemi bankar shqiptar).
Gjithashtu, raporti kredi/depozita është 106%, duke treguar kështu një balancë mjaft të mirë të depozitave dhe kredisë.
Si përfundim raport i mjaftueshmërisë së kapitalit mbetet në nivele mjaft të larta 15.3%, ndërsa totali i kapitalit shënon 86.4 milionë euro.
r.n/NOA