Vlorë, Objektet Kulturore, Ende Probleme Me Infrastrukturën
-Vëzhgim-
VLORË, 3 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Infrastruktura për të mbrritur tek disa prj objekteve me vlera kulturore, historike e arkeologjike në rrethin e Vlorës paraqitet ende me probleme, çka ndikon në shkallën e shfrytëzimit të tyre në funksion të zhvillimit të turizmit.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit Shqiptar për rajonin e Vlorës, Vasil Bedini thotë për ATSH-në se për të mbrritur tek kalaja e Kaninës, një nga objektet më me vlerë turistike, infrastruktura rrugore paraqitet me mjaft probleme.
"Kalaja e Kaninës përfshihet në paketën një javore që ofrojnë operatorët vlonjatë për turistët e huaj, pasi është një objekt që vizitohet me mjaft interes për pozicionin gjeografik dhe historinë e vet", thotë Bedini.
Por sipas tij, për të shkuar atje aktualisht është mjaft e vështirë për shkak të dëmtimit të një pjese të rrugës në një gjatësi prej disa dhjetra metrash.
Ndërsa tek ishulli, manastiri dhe kisha e Zvërnecit, vetëm 8 km në perëndim të Vlorës ka probleme me gjendjen brenda territorit, të cilat përfaqësuesit e shoqatës i kanë prezantuar edhe tek drejtuesit e Këshillit të Qarkut dhe komunës Qendër, që administrojnë këto objekte, duke e futur në procedurë zgjidhjen e këtyre shqetësimeve.
Kryetari i komunës Qendër, Fredo Berberi thotë për ATSH-në se për kalanë e Kaninës është gjetur fondi dhe pritet që së shpejti të nisë puna për rikonstruksionin e rrugës. Ndërsa për ishullin e Zvërnecit ku ndodhen manastiri dhe kisha me të njëjtin emër, kërkohen procedura të tjera për përmirësimin e mjedisit rreth tyre, pasi administrohen nga Kisha Autoqefale e Shqipërisë.
Kalaja e Kaninës, me një histori më shumë se 7- shekullore, në një nga kodrat dominuese pranë fshatit me të njëjtin emër, në lindje të Vlorës, lidhet me historinë e familjes së njohur të Arianitëve, nga dera e të cilës ishte Donika Kastrioti, bashkëshortja e Skënderbeut. Kalaja është e stilit venecian, ç'ka lidhet me praninë dhe marrëdhëniet me Republikën e Venedikut, që e administroi atë për një periudhë pas vdekjes së Skënderbeut.
Ndërsa Kisha e Zvërnecit është një vepër unikale në llojin e vet në vend, për shkak të tipit me kryq të lirë dhe kupolë. /s.s./