English

Xhaferaj: Shtëpia E Konferencës Së Pezës, Shtëpi- Muze

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Suada Daci/ - Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, deklaroi sot se "shtëpia e Konferencës së Pezës ka vijuar të jetë një shtëpi muze". Në një konferencë për shtyp, kreu i MTKRS reagoi ndaj situatës së krijuar të mërkurën në fshatin Pezë, kur përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranës kërkuan të zbatonin një vendim të Këshillit të Ministrave për lirimin e shtëpisë Muze të Konferencës së Pezës. "Kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi- muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka pasur një propozim që ajo të hiqet nga lista e monumenteve të kulturës", tha ministri Xhaferaj. Sipas tij, "po në vitin 2006 Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet që rregullojnë raportet e qeverisjes vendore, propozon që kjo shtëpi muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësinë territoriale dhe adminisitrative të Bashkisë së Tiranës". Në këtë kontekst, Xhaferaj tha se "për këto arsye qeveria nuk mund të transferojë prona të një bashkie apo komune në një bashki apo komunë tjetër, dhe propozimi që u bë në 2006, që kjo shtëpi të hiqej nga lista e monumeteve të kulturës nuk u legjitimua, sepse nuk u shoqërua me urdhrin përkatës që legjitimon çdo rast të ngjashëm". "MTKRS, nisur nga këto arsye, i propozoi qeverisë që shtëpia -muze, që gjithmonë ka qënë monument kulture, të kthehet nga administrimi i Bashkisë së Tiranës nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës së Tiranës, për të pasur një përkujdesje të madhe", tha Xhaferaj. Ai sqaroi më tej, se "ky vendim nuk e cënon aspak as pronësinë e shtëpisë, as banorët e saj, pasi ne kemi me dhjetra raste kur ndërtesa e monumente kulture kanë pronarët e tyre legjitimë, që jetojnë dhe kujdesen në ato shtëpi, por edhe MTKRS kujdeset për mbrojtjen e tyre". Lidhur me praninë e punonjësve të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, ai tha se "kjo është një praktikë normale pune në mbështetje të institucioneve qëndrore dhe vendore të administratës publike dhe të pushtetit vendor". Pronari i shtëpisë, ku më 16 shtator 1942 u mblodh Konferenca e Pezës, i konsideruar si kongresi i parë pluralist në Shqipëri, Dashamir Peza, dje në një prononcim për mediat ngriti pretendimin se banesa e tij është ndërtuar nga e para në vitin 2001 në tokën, pronë e stërgjyshërve të tij, duke cilësuar se toka i është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe se është e hipotekuar. "Në vitin 2006, me vendim të ministrit të Kulturës të asaj kohe, Bujar Leskaj shtëpia është hequr nga lista e monumenteve të kulturës, status që e gëzonte prej vitesh", pohoi Peza./s.s./
KOMENTE