Tiranë, 3 qershor, NOA – Në një konferencë të posaçme për aksionin e djeshëm të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe policisë, në shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, sqaroj pozicionin e institucionit të tij në lidhje me këtë ngjarje.
Xhaferraj u shpreh se Ministria e Kulturës ka propozuar rikthimin e shtëpisë-muze nën administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë.
Sipas tij, “ky vendim nuk cënon aspak pronësinë e shtëpisë, as dhe banimin e saj. Ky vendim i jep shtëpisë historike mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”, u shpreh ai.
Xhaferraj ka bërë dhe një pasqyrë të shkurtër të vendimeve procedurale në lidhje me këtë banesë duke akuzuar dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për shkelje të ligjit, duke e kaluar këtë objekt në administrim të pushtetit vendor.
“Kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi-muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka patur një propozim për ta hequr nga lista e monumenteve të kulturës. Po në vitin 2006, Edi Rama, për shkaqe të dyshimta, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet për qeverinë vendore, propozon që kjo shtëpi-muze të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësi territoriale dhe administrative të Bashkisë Tiranë”, tha Xhaferraj.
Ai theksoi se qeveria në asnjë rrethanë nuk mund të transferojë prona të një bashkie apo komune, në një bashki apo komunë tjetër. “Ndërkohë që, propozimi për heqjen e shtëpisë-muze nga lista e monumenteve të kulturës, nuk u legjitimua nga urdhëroi përkatës që del në çdo rast të ngjashëm”, shtoi Xhaferraj duke justifikuar vendimin e Institutit të Monomenteve.
m.xh/NOA