English

Zonja E Pare, Teuta Topi, Mbeshtet Femijet Me Aftesi Te Kufizuara Ne Perpjekjet E Tyre Per Jete Aktive Sociale

IALE TIRANE, 3 Qershor/ATSH/. - Zonja e Parë, Teuta Topi, ishte sot e pranishme në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010, në të cilat u aktivizuan rreth 250 atletë nga 11 rrethe të vendit në mjediset e Qendrës Sociale "Don Bosko", ku u mirëprit nga organizatorët e Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010. Sipas Zyres se Shtypit te Presidences, Zonja e Parë, Teuta Topi, iu drejtua fëmijëve atletë pjesëmarrës se "Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu të gjithë së bashku. Më vjen mirë që ju arritët të mbyllnit me shumë sukses Lojërat Olimpike. Ashtu si ju hytë në garë të barabartë, ashtu dhe keni dalë sot fitues të gjithë dhe të barabartë. Para së gjithash ju sot keni fituar luftën kundër të gjitha paragjykimeve, të cilat ekzistojnë tek ndonjë person tjetër. Ju keni treguar me këtë që kur njeriu ka kurajo dhe ka dëshirë, arrin çdo gjë. Ju i keni treguar bashkëmoshatarëve tuaj se dini kaq shumë të organizoni kohën tuaj, duke u marrë me aktivitete sociale, kulturore, sportive, të cilat janë shumë të rëndësishme në jetën e të rinjve". Gjithashtu, një falenderim të veçantë Zonja e Parë e shprehu edhe për organizatorët e kësaj veprimtarie, Vodafone Albania, Olimpikun Special Shqiptar, si dhe Qendrën Sociale "Don Bosko", të cilët kanë kryer një mision kaq human në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke iu dhënë atyre mundësinë që të zhvillojnë kapacitetet, të realizojnë dëshirat fëminore dhe të gëzojnë jetën me të gjitha mundësitë e tyre. Në përfundim, Zonja e Parë, Teuta Topi dorëzoi për fituesit çertifikata të kësaj Olimpiade, kupa dhe medalje, të cilat i kurorëzuan ata si më të mirët. Moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte dhe ai i fotografive me ekipet pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Speciale Shqiptare 2010. /a.ke/
KOMENTE