English

Ambientalistët-Të Ndërtojmë Politika Të Gjelbra Për Të Ardhmen E Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 4 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/.- "Të ndërtojmë së bashku politika të gjelbra për një të ardhme të gjelbër në Ballkanin Perëndimor", ishte mesazhi i përcjellë sot nga strukturat shtetërore mjedisore dhe organizatat joqeveritare që operojnë në fushën e mjedisit. Gjatë një konference për shtyp, në prag të Ditës Botërore për Mjedisin, zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino, u ndal tek cilësia e ajrit urban dhe menaxhimi i mbetjeve urbane, si dy çështje problematike dhe që kërkojnë vëmendje të veçantë. Edlir Vokopola, kordinator i Lëvizjes mjedisore BELLS, që operon në Ballkanin Perëndimor, tha se "Qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara në mënyrë të vendosur për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por për të çelur dyert e BE-së ne duhet të përshtasim dhe respektojmë standardet e saj". "Këto standarde kontribuojnë drejtpërdrejtë në rritjen e standardeve të jetës sonë, të qytetarëve dhe për të arritur këtë ne duhet të ndërtojmë, përmes bashkëpunimit, politika të gjelbra në rajonin tonë, në vendet dhe në qytetet tona", tha Vokopola. Slogani i Ditës Botërore të Mjedisit, 5 Qershor, e përzgjedhur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, është "Shumë specie; një planet; një e ardhme". Kjo ditë do të shoqërohet me aktivitete të ndryshme në vend për të përcjellë mesazhe sensibilizuese në mbrojtje të mjedisit./s.s./
KOMENTE