English

Apeli i Uidhers: Politika të luftojë diskriminimin, PD-PS nuk reaguan për Klodin

Tiranë, 4 qershor, NOA - Klodjan Çela, një nga finalistët e spektaklit “Big Brother” ka qenë sërish kryefjala e ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers në konferencën për mbrojtjen nga diskriminimi.

I ftuar nga organizatorët, Uidhers u shpreh se pas deklarimit të prirjeve homoseksuale të Klodit gjatë spektaklit, familja e tij po lufton e vetme me homofobinë e shoqërisë shqiptare, në një kohë kur ligji i sapomiratuar duhet t’i sigurojë asaj mbrojtjen.

Në fjalën e tij në konferencë, Uithers ka theksuar se “ligji do të jetë asgjë nëse nuk zbatohet në praktikë”.

Diplomati amerikan nuk ka kursyer kritikat për politikën shqiptare. Ndonëse sipas tij, parlamenti e kryeministri veçanërisht duhet përgëzuar për miratimin e ligjit kundër diskriminimit, pozita dhe opozita nuk janë deklaruar asnjëherë në mbrojtje të Klodian Çelës edhe pas rasteve të homofobisë të shfaqur dhe në ekranet e televizioneve shqiptare.

“Ajo që më shqetëson mua është që dhe tani kjo familje përballet me trysni të shumta, me sulme karakteri dhe personaliteti, ajo që më shqetëson është se ligji nuk është mbështetur sa duhet nga forcat politike.

Asnjë zyrtar nuk ka folur në fakt për nivelin e homofobisë me të cilën po përballet familja Çela.

Madje asnjë figurë e opozitës nuk ka dalë hapur në mbrojtje kundër homofobisë me të cilët po përballet kjo familje, pavarësisht faktit se ata kanë të drejtë të jetojnë të lirë në vendin e tyre”, u shpreh ambasadori amerikan Xhon Uidhers.

Uidhers theksoi se në Shqipëri ekzistojnë disa forma të diskriminimit, jo vetëm ndaj minoriteteve seksuale por dhe ndaj komuniteteve siç janë ato rome dhe egjiptiane. Ambasadori amerikan ftoi OJF të shtojnë luftën ndaj diskriminimit ndërsa u ka garantuar mbështetjen e përhershme të tij dhe shtetit që ai përfaqëson.

Qëllimi i kësaj konference ishte shkëmbimi I përvojave rajonale lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe të përvojave pozitive të strukturave të caktuara për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në këtë fushë.

b.a/NOA

KOMENTE