Basha : Kriteret Plotësuese Për Liberalizimin E Vizave Do Të Përmbushen Brenda Afatit
- Shprehet në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm, Lulzim Basha
TIRANË, 4 Qershor/ ATSH - Mira Shkurta/. - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, garantoi sot përkushtimin e plotë të Qeverisë në përmbushjen brenda afatit të tre kritereve shtesë të paraqitura në 27 maj nga kolegji i komisionerëve të Komisionit Europian, i cili i propozoi Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së heqjen e vizave për Shqipërinë.
"Nuk ka asnjë pengesë politike apo mungesë vullneti politik për të përfunduar me sukses procesin e heqjes së vizave, për të cilin tashmë ekziston edhe elementi më i rëndësishëm, propozimi pozitiv i Komisionit Europian", u shpreh ministri Basha gjatë një konference për shtyp.
Basha tha se "vetëm një javë pas propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë, Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare, shqyrtuan dhe i dhane dje mbështetje të plotë këtij propozimi".
Duke u ndalur në një ndër kriteret plotësuese të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që është "hartimi i një strategjie për riintegrimin e të riatdhesuarve", Basha bëri të ditur se ka përfunduar hartimi i draftit dhe së shpejti do t'i parashtrohet për miratim organeve përkatëse, Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, si dhe Këshillit të Ministrave.
Ky draft, sipas ministrit të Brendshëm, është përgatitur me bashkërendim dhe koordinim të plotë me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, siç janë ata të IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) dhe ekspertë të Bashkimit Europian.
Ndërsa për dy kriteret e tjera, Basha tha se ato janë tregues vazhdimësie dhe as nisin e as përfundojnë me liberalizimin e vizave.
Duke folur për sfidat e policisë shqiptare në luftën kundër kriminalitetit pas liberalizimit të vizave Basha tha se "lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë dhe mbeten prioritete kryesore të Policisë së Shtetit, krahas sigurimit të rendit dhe sigurisë publike. Në këtë kuadër pas liberalizimit të vizave, para Policisë së Shtetit dalin detyra të reja edhe më të rëndësishme, sfida të reja që duhen kapërcyer".
Lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe ndikimin e saj në vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ministri Basha u shpreh se "nga të gjithë deklaratat e deritanishme të institucioneve europiane shihet fare qartë se nuk ka asnjë pengesë politike apo mungesë vullneti politik për të përfunduar me sukses procesin e heqjes së vizave".
Basha vlerësoi gjithashtu edhe interesin e qytetarëve shqiptarë, që në një kohë rekord u pajisën me mbi 2,2 milion karta identiteti elektronike, 700 mijë pasaporta biometrike./s.s./