Tiranë, 4 Qershor, NOA – Banka Evropiane e Investimeve po i jep një mbështetje të madhe ekonomisë dhe qeverisë shqiptare, ndërsa është prezent në Shqipëri me një numër të madh projektesh të cilat llogariten rreth 280 milionë euro.
Një fakt të tillë e ka theksuar ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë ceremonisë së sotme të nënshkrimit të një marrëveshje për 50 milionë euro investime në rrugët lokale të Shqipërisë.
“Firmosëm një marrëveshje me vlerë 50 milionë euro që bëhet në kuadrin e programit për zhvillimin e 1500 km rrugëve rurale dhe komunale, program i cili është në proces. Kjo kredi prej 50 milionë eurosh është pjesë e një pakete brenda këtij programi prej 400 milionë dollarësh do të përmbajë financimin e tre institucioneve”, tha ai.
Duke shtuar se me nënshkrimin e kësaj kredie dhe kompletimin e shumës prej 135 milionë eurosh, financimet për programin e investimit të infrastrukturës rurale arrijnë në mbi 300 milionë dollarë dhe shumë shpejt do të mbyllet e gjithë paketa e programuar me pjesëmarrjen e fondit japonez për shumën e deklaruar prej 400 milionë dollarësh n.e/NOA