English

Bosch: Mjedisi Politik Në Shqipëri Të Nxisë Zbatimin E Programeve Të Ndihmës Së Donatorëve

- Ambasadori Bosch merr pjesë në tryezën e rrumbullakët qeveri-donatorë - TIRANË, 4 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Robert Bosch deklaroi sot se "të gjithë donatorët shpresojnë që mjedisi politik në Shqipëri të vazhdojë të nxisë zbatimin e programeve të ndihmës së donatorëve". Ambasadori Bosch, që është njëkohësisht kryetar i radhës i Sekretariatit Teknik të Donatorëve, mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët qeveri-donatorë, të organizuar në Hotel Sheraton. Në emër të komunitetit të donatorëve, Ambasadori Bosch shprehu kënaqësinë lidhur me progresin e konsiderueshëm në drejtim të zbatimit të sistemit të Integruar të Planifikimit, që do të ndihmojë edhe në përputhjen më të mirë të asistencës së jashtme me prioritetet e Qeverisë. "Shpresojmë që kapacitetet e forcuara gjatë viteve të shkuara me ndihmën e donatorëve, të ruhen dhe do të përdoren në mënyrën më optimale", tha ai. Ambasadori Bosch shtoi se "donatorët shpresojnë që ministritë e linjës të kenë një përqasje më aktive për bashkërendimin e grupeve sektoriale të punës, krahas përpjekjeve madhore që bën Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj". "Grupet sektoriale të punës janë një instrument shumë i rëndësishëm në nxitjen e bashkërendimit të donatorëve dhe harmonizimin e ndihmës", tha Ambasadori Bosch. Për t'iu përgjigjur shqetësimit të donatorëve në lidhje me rimbursimin e TVSH-së, shqetësim i ngritur edhe gjatë takimit të fundit, Ministria e Financave paraqiti në këtë tryezë një raport për rimbursimin e TVSH-së, që i'u shpërnda pjesëmarrësve bashkë me një informacion mbi kuadrin makroekonomik të vendit./n.m/
KOMENTE