English

Bradashesh: Pelegrinazh Ne Diten E Mirekuptimit Dhe Harmonise

ELBASAN, 4 Qershor/ATSH- Miranda Sadiku/.- Me qindra besimtarë dhe banorë të komunës Bradashesh (Elbasan), kanë festuar sot 4 Qershorin, datë e shpallur nga këshilli i komunës në vitin 2007 si festë zyrtare për banorët, e quajtur "Dita e Mirëkuptimit dhe e Harmonisë". Besimtarë të feve të ndryshme jo vetëm Elbasani dhe rrethinat e tij, por edhe nga qytete të tjera , morrën pjesë në pelegrinazhin e organizuar në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, në fshatin Shijon të komunës Bradashesh. Në këtë festë e kthyer në traditë, ishte dhe Presidentja e fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", zonja Liri Berisha, nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku, përfaqësues të pushtetit lokal etj. Pas ceremonisë së organizuar në mjediset e komunës, ku kryetari Sabri Sollaku vlerësoi me titullin "Nderi i Komunës " zonjën Liri Berisha, aktiviteti vijoi në kishën e Shën Joan Vladimirit, ku besimtarët ndezën qirinj dhe morën pjesë në meshën e mbajtur nga Episkop At Nikolla, që më pas priti dhe zonjën Liri Berisha. Kryetari i komunës, Sabri Sollaku, në një shesh të hapur, ku u zhvillua koncerti i madh festiv, dha urimin për këtë ditë, që për banorët e komunës së Bradasheshit, por edhe qytetarët e Elbasanit është e veçantë si ditë e mirekuptimit, harmonisë dhe e paqes. Në skenën e improvizuar në fushën e fshatit Shijon, zonja Liri Berisha falenderoi komunën për titullin që i dhanë, si edhe për dhuratën për fëmijët e Fondacionit "Fëmijët Shqiptar". Duke shprehur kënaqësi që kjo festë e nisur prej shekujsh, vazhdon edhe në ditët e sotme, ajo tha "kjo është një nga traditat më të bukura që kaloni brez pas brezi, duke treguar se jeni një zone jo vetëm me tradita, por edhe me një ekonomi mjaft të zhvilluar". Dita e 4 Qershorit, një festë pagane dhe popullore festohej më parë në fshatin Shijon në manastirin e Shën Joan Vladimirit, ku banorë të komunës dhe të ardhur, nderojnë figurën e Shënjtit Joan Vladimir. Historia e vendbanimit në fshatin Shijon nis rreth viteve 1010 - 1020, ku nga Mali i Zi, prifti Shën Joan Vladimiri do të predikonte ritet e fesë ortodokse e më pas ky fshat do të mbante emrin e tij. Ai u vra nga Vladisllavi, mbreti Bullgar dhe u varros nga kryepeshkopi i vendit më 3 qershor të vitit 1015 në vendin ku më vonë e ndërtua edhe manastiri. Ky manastir është shndërruar në vend per turizëm kulturor me vlera, aq më tepër që aty ndodhet edhe varri i kryepeshkopit të parë shqiptar, At Vissarion Xhuvani, i futur në Panteonin e njerëzve të shquar që ka nxjerrë kombi ynë. /a.ke/
KOMENTE