Bumçi: Bashkia E Tiranës Nuk Ka Asnjë Plan Të Përgjithshëm Për Rregullimin E Trafikut
TIRANË, 4 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi, tha sot se "Bashkia e Tiranës nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë plan të përgjithshëm për rregullimin e trafikut për qytetin e Tiranës".
Bumçi theksoi se "për të pasur një trafik të pranueshëm në qytet, sipërfaqja kushtuar trafikut duhet të jetë 20 për qind e gjithë sipërfaqes së qytetit".
"Në rastin e Tiranës sipërfaqja dedikuar trafikut është vetëm 6.6 për qind, pra rreth tre herë më pak se minimumi i sipërfaqes kushtuar trafikut. Situata ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë të frikshme, për shkak të intensitetit të ndërtimeve, si dhe me ndërhyrjen për të përkeqësuar më tej këtë situatë të rënduar", tha Bumçi.
Ai bëri përgjegjëse për këtë situatë Bashkinë e Tiranës, që me ndërhyrjet e saj, pa një plan të përkohshëm, ka krijuar këtë gjëndje të rënduar. "Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk mund të bëjë eksperimente me qytetarët e Tiranës", tha Bumçi./s.s./