English

Durrës, Rama: Greva I Shërbeu Kauzës Opozitare

DURRËS, 4 Qershor/ATSH-Gëzim Kabashi/. - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi sonte në mbrëmje, në një takim të zhvilluar në sallën e teatrit "Alesandër Moisiu" në Durrës me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie, se kauza e opozitës ka shkuar përpara falë grevës dhe protestave të organizuara në Tiranë dhe qytete të ndryshme të vendit. Sipas Ramës, "tryeza e iniciuar nga partnerët ndërkombëtarë ishte pasojë e presionit të popullit opozitar, beteja intensive e të cilit ka krijuar bindjen se votat më 28 qershor janë vjedhur". Kryesocialisti Rama ripërsëriti kërkesën për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit 2009, proçes që, sipas tij, bën të mundur transparencën e së vërtetës. Rama tha në këtë takim se "ne do t'i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe do të qeverisim Shqipërinë", por pa saktësuar në se bëhet fjalë për zgjedhjet lokale apo ato të përgjithshme. Gjatë takimit, që mbahej nën sloganin "Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë", Rama falenderoi deputetët e Qarkut të Durrësit si dhe të gjithë pjesëmarrësit e grevës së urisë që nisi në fillim të muajit maj në kryeqytet. Ai tha se opozita doli më e bashkuar nga greva, që, sipas tij, afroi me PS edhe forca politike dhe grupime të tjera shoqërore. /s.s./
KOMENTE