English

Ekonomi - Euro-Ja Ra Nën 1,20 Dollarë Për Herë Të Parë Që Prej Marsit Të Vitit 2006

LONDËR, 4 qershor /ATSH-AFP/ - Euroja ra sot nën pragun e 1,20 dollarë për herë të parë që prej marsit të vitit 2006, pasi investitorët iu larguan valutave të rrezikuara pas publikimit të shifrave zhgënjyese të punësimit në Shtetet e Bashkuara, në një kuadër shqetësimesh për rimëkëmbjen ekonomike në Evropë. Rreth orës 15:35 GMT (17:35 në Paris), euroja arriti në 1,1993 dollarë, nivelin e saj më të ulët që prej 29 marsit të vitit 2006. "Shifrat e punësimit në Shtetet e Bashkuara i dhanë një goditje entuziazmit për rimëkëmbjen ekonomike botërore", komentoi Joshua Raymond, analist i City Index. Në fakt, ekonomia amerikane ka krijuar 431 000 vende të reja pune në maj, që përbën një rritje të dukshme, por jo aq të lartë sa pritej, mësohet nga raporti mujor i Departamentit amerikan të Punës për punësimin dhe papunësinë i publikuar sot. Dhe rënia pak më e madhe nga sa ishte parashikuar e përqindjes së papunësisë, në 9,7 për qind, nuk mjaftoi për të zbutur acarimin e investitorëve "që tashmë mund ta vënë në dyshim fuqinë e rimëkëmbjes së tregut amerikan të punës, paralajmëroi Raymond. Përveç kësaj, kryeministri francez François Fillon u shpreh se rënia e vazhdueshme e monedhës unike është një "lajm i mirë", që çon madje në rritjen e gamës së eksporteve të zonës euro. /I.Pu.
KOMENTE