English

Ekonomi - Sintezë - Euroja Dhe Punësimi Në Amerikë Sjellin Rënien E Tregjeve

PARIS, 4 qershor /ATSH-AFP/ - Bursat evropiane më tej Wall Street u gjendën përsëri sot në një situatë të vështirë, të zhgënjyer nga shifrat e punësimit në Amerikë që nuk ishin aq pozitive sa parashikohej dhe të shqetësuar nga rënia e euros nën kuotën 1,21 dollarë. Nafta ra gjithatu, duke humbur më tepër se dy dollarë dhe duke arritur nën 73 dollarë për fuçi. Rreth orës 13:30 GMT Dow Jones në Nju Jork humbi 1,53 për qind, në Paris 2,34 për qind, në Londër 1,80 për qind, në Frankfurt 1,48 për qind dhe në Madrid 3,56 për qind. Athina humbi më tepër se 5 për qind. Në Shtetet e Bashkuara, papunësia ka rënë në muajin maj në 9,7 për qind, por shifra për vendet e reja të punës (431 000) nuk ishte më e lartë se 500 000 sa pritej. Tregjet vazhdojnë të jenë të shqetësuara nga apatia ekonomike e Evropës, që ka sjellë rënien e euros nën pragun 1,21 dollarë për herë të parë që prej prillit të vitit 2006. Ajo ka rënë deri në 1,2038 dollarë në mesditë, kuota e saj më e ulët që prej 3 prillit të vitit 2006, përpara se të fitonte përsëri pak terren duke arritur në 1,2050 dollarë rreth orës 13:30 GMT. Në fakt, analistët e bankës HSBC i ulën sot rekomandimet për Evropën, përveç Mbretërisë së Bashkuara, sepse "ka ende shumë paqartësi lidhur me shëndetin e bankave, me të ardhmen e euros, me borxhet kombëtare dhe me rritjen ekonomike kështu që nuk mund të rrezikohet në këtë rajon aktualisht". Një front i ri i krizës në Evropë është hapur në Hungari, ku fiorinta, Bursa e Budapestit si dhe borxhi i vendit kanë rënë me ritme shumë të shpejta pas deklaratave alarmante për situatën ekonomike të vendit nga personalitete të partisë në pushtet Fidesz. Brenda 24 orëve, forinta humbi 5,5 për qind. Këto shqetësime i bëjnë kambistët të përdorin investime më të sigurta si kartmonedha e gjelbër dhe franga zvicerane. Kështu, franga zvicerane arriti sot nivelin më të lartë historik përballë monedhës evropiane, 1,3867 franga zvicerane për një euro, përpara se të bjerë pak në 1,3940 rreth orës 13:30 GMT. Por, kryeministri francez François Fillon u përpoq të ishte garantues duke shprehur se rënia e euros është një "lajm i mirë" aq sa madje duhet të dyfishohen eksportet e zonës euro. Tregjet evropiane patën një rritje të kujdesshme pas konfirmimit të një rritjeje prej 0,2 për qind në zonën euro. Një shifër që nuk ka shkaktuar eufori, sepse bëhej fjalë për një rritje të butë, që pason në tremjorin e katërt të vitit 2009, që ishte gjithashtu i dobët. Për momentin rënia e euros nuk e shqetëson Kinën: sipas guvernatorit të Bankës Qendrore kineze Zhou Xiaochuan, i cili u shpreh sot se pasoja e krizës së borxhit në Evropë për eksportet kineze pritet të jetë e kufizuar. Franca pati edhe një lajm tjetër të keq: agjencia e vlerësimit Standard and Poor''s e uli me një shkallë borxhin e kompanisë SNCF, duke theksuar se "rregullat evropiane mund ta bëjnë më të vështirë një mbështetje të mundshme financiare" të qeverisë franceze. /I.Pu.
KOMENTE