English

Elbasan: Komuna Bradashesh Nderon Me Titullin "Nderi I Komunes" Zonjen Liri Berisha

ELBASAN, 4 Qershor/ATSH- Miranda Sadiku/.- Në festën tradicionale të komunës Bradashesh, "Dita e Mirëkuptimit dhe Harmonisë", ku realizohen një sërë aktivitetesh, ka marrë pjesë edhe Presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", zonja Liri Berisha. Me vendim të këshillit të komunës Bradashesh, zonja Liri Berisha është vlerësuar me titullin "Nderi i Komunës", me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në mirësinë e humanizmin e treguar gjatë të gjithë viteve të punës së saj në shërbim të njerëzve dhe fëmijëve në veçanti". Gjithashtu, komuna Bradashesh i ka dhuruar fondacionit "Fëmijët Shqiptare" 10 mijë euro, për t'i ardhur sadopak në ndihmë këtij fondacioni. Nga ana e saj, Zonja Liri Berisha ka deklaruar se "është një kënaqësi që të marr pjesë në këtë ditë të shenjtë në këtë komunë, në një ditë të madhe, në një ceremoni ku ju festoni vërtetë vlerat më të shenjta që keni, ku demonstroni dashuri njerëzore, tolerancën, solidaritetin, bujarinë, të gjitha këto vlera që ju i keni pasur me kohë dhe i keni trashëguar nga brezi në brez". Zonja Berisha në emër të fondacionit " Fëmijët Shqiptarë", ka falenderuar komunën që i dhuroi një fond prej 10 mijë euro në këtë ditë të shenjtë, për të gjithë ata fëmijë në nevojë, të cilët nuk kanë mundësinë, nuk kanë aftësitë fizike apo mendore, për të qenë si të gjithë fëmijët e tjerë. "Kjo është një ndihmë e madhe për fëmijët, por edhe familjet e tyre", tha zonja Berisha, e cila me pas ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në manastirin e Shën Joan Vladimirit dhe koncertin festiv. /a.ke/
KOMENTE