English

Emigrantet Shkodrane Ne Torino Festojne "Diten E Luleve"

SHKODËR, 4 Qershor/ATSH-G. Marku/- Tradita e Ditës së luleve nga Shkodra është përcjellë në Torino (Itali), ku emigrantët shkodranë, që jetojnë aty prej vitesh, të grupuar në Shoqatën Kulturore Italo-Shqiptare "Shkodra Life", organizuan spektaklin kulturor "Festa e Luleve". Presidenti i Shoqatës " Shkodra Life", Mark Gera, një prej artistëve shkodranë, që jeton prej vitesh në Itali, tha sot për ATSH-në se në organizimin e aktivitetit, i pari i këtij lloji që organizohet në Torino, u bazuan në traditat historike, shoqërore dhe muzikore të Shkodrës dhe Shqipërisë. Gera vuri në dukje se "ndërsa Dita e luleve, që në Shkodër organizohet tradicionalisht në ditën e Shëngjergjit, një feste pagane, aktiviteti në Torino synoi rizgjimin dhe gjallërimin e traditave të qytetit antik të Shkodrës dhe trasmetimin e tyre tek të rinjtë shqiptarë, një pjesë e të cileve kanë lindur dhe jetojnë në Itali". Ai shton se ky aktivitet shërben dhe si një urë lidhjeje mes dy popujve, shqiptar dhe italian që i kanë dhënë shumë historisë së zonës së Mesdheut dhe asaj europjane. "Kjo urë e krijuar nga arti dhe kultura është mjet i fuqishëm për njohjen dhe mbështetjen reciproke për ndërtimin e shoqërisë të së ardhmes", vijoi ai. Shkodranët e Torinos të inkuadruar në shoqatën e tyre, tashmë kanë edhe grupin artistik, ku bëjnë pjesë emra të njohur me reputacion dhe në jetën artistike italiane, si kompozitori Fran Lufi, etj. Në koncert, Lodi Luka, pianist, kantautori Aranit Kola, që së bashku me poeten Mimoza Sali, sopranon Tatiana Kora, etj, me interpretimet e këngëve lirike, krijuar nga kompozitorët shqiptarë me origjinë shkodrane, vunë në pah pasurinë e muzikës së kultivuar shqiptare. Me emocion u pritën interpretimet e dy vajzave të reja, shkodranes Jane Plumbini dhe italianes Celeste Graziero, ndërsa kori i fëmijëve dhe të rinjve nxorrën në pah besimin tek brezi i ri që do të ndërtoje të ardhmen pa përbuzur traditat e pasura të origjinës së tyre. "Lulet, simboli i këtij aktiviteti, zgjedhur dhe vendosur me shije dhe kujdes rreth skenes, së bashku me këngët "Luleborë", "Me lule t'bukura", " Pranvera filloi me ardh", " Margjelo", etj, dhanë idenë e bashkimit, pasi shqiptarë, miq dhe simpatizante italianë festuan së bashku Festen e Luleve", përfundon për ATSH-në Presidenti i Shoqatës " Shkodra Life" në Torino, Mark Gera./n.m/
KOMENTE