Eulex: Në Kosovë Është Arritur Një Progres I Qëndrueshëm Dhe Pozitiv Në Fushën E Sundimit Të Ligjit
PRISHTINË, 4 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- EULEX-i, në Raportin për Programe 2010, një raport i publikuar sot qe analizon progresin e arritur nga institucionet kosovare në fushën e sundimit të ligjit gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar, thekson se është arritur një progres i qëndrueshëm, pozitiv, gradual dhe real.
Në një komunikatë të EULEX bëhet e ditur se Raporti gjithashtu tregon se problemet e adresuara janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund të ketë përmirësime të shpejta.
"Përmirësimet në sundimin e ligjit nuk mund të arrihen për disa muaj. Një gjë e tillë kërkon kohë dhe punë të zellshme, posaçërisht nga institucionet me të cilat bashkëpunojmë", tha Roy Reeve, zv/shef i EULEX-it.
Raporti e konsideron themelimin e Task Forcës Anti-korrupsion në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) si një hap pozitiv në këtë drejtim. Veç kësaj raporti gjithashtu konstaton progresin e arritur nga Policia e Kosovës në bartjen e përgjegjësisë për mbikëqyrjen e Kufirit të Gjelbër.
Në anën tjetër, raporti ka identifikuar ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në nivele të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme.
"Kjo ndërhyrje në procedurat gjyqësore civile dhe penale, ka rezultuar në probleme praktike - abstenimi paraprak i gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas për të trajtuar çështjet e ndjeshme".
Në mënyrë të veçuar, raporti konstaton "ka pasur mungesë të progresit në krijimin e mekanizmave themelorr për bashkërendim dhe bashkëpunim mes prokurorëve dhe Policisë së Kosovës, si dhe në mes të prokurorive dhe gjykatave".
"Ky raport bën që EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës të jenë më transparente dhe llogaridhënëse duke zbatuar mekanizmin e ri të monitorimit, i cili përfshin kritere të qarta dhe na obligon për të përmbushur këto kritere", deklaroi Shefi i Zyrës për Programe në EULEX, Alessio Zuccarini./s.s./