English

Hapet ambasada shqiptare në Bosnje-Hercegovinë

Sarajevë, 4 Qershor, NOA – Vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta në Sarajevë, gjatë samitit për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, shënoi edhe çeljen e ambasadës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë.

Inaugurimi i ambasadës sonë në Sarajevë, ndërsa të dyja vendet presin integrimin në BE njëkohësisht, reflekton sikundër u shpreh ministri Meta gjatë ceremonisë së disa ditëve më parë, marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve duke i hapur udhë intensifikimit të mëtejshëm të tyre, pasi Shqipëria ofron potenciale të jashtëzakonshme edhe sa i përket turizmit.

“Mendoj se është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe tregues i qartë i prioritetit shumë të rëndësishëm që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me fqinjët, kontribut që ne do ta shtojmë akoma më tej, në shërbim të integrimit europian të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, - u shpreh gjatë ceremonisë së inaugurimit ministri i Jashtëm Ilir Meta, bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë së Jashtme.

Vlerësimet për rolin e Shqipërisë në rajon, si faktor paqeje, stabiliteti dhe si kontribuese tepër e rëndësishme për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, erdhën edhe nga homologu boshnjak, Sven Alkalaj, i cili shprehu besimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe angazhimin e qeverisë së tij, për hapjen sa më shpejt të ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri.

Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

mit/NOA
KOMENTE