English

Izrael - Sulmi Kundër Flotiljes Tregohet Nga Gazetat E Vendit

JERUSALEM, 4 qershor /ATSH-AFP/ - Të përditshmet izraelite i kthehen sot me shumë detaje sulmit të përgjakshëm të ndërmarrë të hënën kundër flotiljes humanitare ndërkombëtare, për sa u përket përgatitjeve të operacionit, zhvillimit të tij dhe pasojave të "fiaskos". Disa masa përgatitore të nivelit më të lartë të operacionit, të koduar me emrin "Sea Breeze" (Era e Detit), filluan që në muajin shkurt, bën të ditur e përditshmja me tirazh të madh "Yediot Aharonot". Shefi i marinës së luftës, admirali Eliezer Marom, krijoi dy celula operacionale, njëra e përbërë nga ushtarakë dhe tjetra nga juristë, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, agjentë të zublimit. Fillimisht, autoritetet izraelite u përpoqën të pengojnë nisjen e flotiljes për në Gaza me rrugë diplomatike, duke shtuar përpjekjet pranë Turqisë, por pa rezultat, thekson "Yediot". Izraeli kontaktoi edhe me Egjiptin i cili i propozoi dërgimin e ndihmës humanitare në portin El-Arish për ta dërguar atë më tej në Gaza, por ndeshi në refuzimin e organizatorëve të flotiljes, njoftoi e përditshmja. Vetëm Qiproja pranoi të bashkëpunonte me Izraelin, duke mos i lejuar anijet e flotiljes të ankoroheshin në portet e saj. Për sa i përket sulmit, disa informacione janë marrë pranë OJQ-së islamike turke IHH, e cila ka marrë me qera tragetin "Mavi Marmara", më i madhi i gjashtë anijeve të flotiljes së lirisë për Gazën. Pikërisht në këtë anije ndodhën përleshjet e përgjakshme që shkaktuan nëntë të vdekur në radhët e civilëve, tetë turq dhe një amerikan, të vrarë nga goditjet e ushtrisë izralite. Vendimi u mor në nivelet më të larta për lokalizimin e flotiljes dhe për dërgimin e saj në portin izraelit Ashdod, në jug të Izraelit, pasi komandot e marinës kanë bërë një trajnim të posaçëm dhe janë pajisur me armë kundër trazirave, përveç armëve individuale. Vendimi për të sulmuar flotiljen në ujërat ndërkombëtare u mor nga shefi i komandove të marinës për të kapur në befasi aktivistët propalestinezë përpara mëngjesit, pavarësisht rreziqeve se Izraeli mund të akuzohej për "akt piraterie", njofton "Yediot Aharonot". Admirali Marom mendohet të ketë marrë pjesë vetë në operacionin në një anije lufte në afërsi dhe ka qëlluar në ajër për paralajmërim kur shpërthyen përleshjet. Sapo komandot izraelite u hodhëm me helikopter në kuvertën e tragetit "Mavi Marmara", ata u sulmuan me shufra hekuri dhe me thika nga dhjetëra militantë, mësohet nga dëshmitë e disa ushtarëve. Sipas të përditshmes "Haaretz", aktivistët mendohet të kenë mbajtur rob për një kohë të shkurtër tre ushtarë izraelitë dhe të merrnin një ose disa prej armëve të tyre. Sipas "Yediot Aharonot", filmime të marra nga pasagjerët dhe të konfiskuara nga ushtria tregojnë se disa aktivistë pacifistë mbrojtën disa ushtarë të kërcënuar për linçim. Pas operacionit, të cilësuar si "dështim", vendimi për lirimin e të gjithë pasagjerëve të mbajtur në burgje u mor nga kryeministri Benjamin Netanjahu dhe nga ministri i Mbrojtjes nën presionin e Turqisë, sipas shtypit, ndërkohë që ushtria shpresonte të shfrytëzonte seancat pyetësore për të konfirmuar tezën e izraelitëve për një "provokim" të qëllimshëm. /I.Pu.
KOMENTE