Kinë - Tian An Men - Li Peng: Duhej T'I Ndalonim
- Njëzetë e një vjet pas masakrës, ish-kryeministri publikon ditarin e tij -
PEKIN, 4 qershor /ATSH-ANSA/ - Njëzetë e një vjet nga masakra e studentëve që ndodhi natën ndërmjet 3 dhe 4 qershorit të vitit 1989 në sheshin Tian an Men të Pekinit, ish-kryeministri Li Peng publikoi sot versionin e tij të fakteve.
Në një dorëshkrim Li Peng thotë se e kishte aprovuar ushtrimin e forcës sepse "situata gjatë lëvizjes së studentëve doli jashtë kontrollit dhe se rrezikonte të përsëriste tmerret e Revolucionit Kulturor".
"Do të isha i gatshëm të jepja jetën për të bllokuar atë lëvizje", pranon ndër të tjera ish-kryeministri në një nga faqet e dorëshkrimit të publikuar sot nga e përditshmja "South China Morning Post". Li Peng, i cili sot është 81 vjeç dhe akuzohet nga disidentët se është një nga shkaktarët e tragjedisë, thekson se vendimi për të vendosur ligjin ushtarak dhe për të aktivizuar ushtrinë në neutralizimin e sheshit Tian an Men u mor nga numri një i atëhershëm kinez Deng Hsiaoping.
Në ndërhyrjen ushtarake gjatë natës ndërmjet 3 dhe 4 qershorit të vitit 1989, humbën jetën qindra, ndoshta mijëra persona, shumica e të cilave kërkonin të pengonin mjetet e blinduara të ushtrisë kineze të mbërrinin në sheshin ku ishin mbledhur mijëra të rinj.
Sot, në sheshin Tian an Men, mbushur si çdo ditë nga mijëra turistë kinezë dhe të huaj, dita kaloi e qetë. Në të kundërt, vitin e kaluar, kur me rastin e 20 vjetorit të masakrës, hyrja në shesh u ndalua për të gjithë gazetarët gjatë gjithë ditës. Por sot askush nuk i ndaloi reporterët e shumtë, kryesisht të huaj, të cilët nisën të eksplorojnë sheshin.
Tian an Men vëzhgohet në mënyrë konstante nga policë civilë dhe me uniformë dhe nuk duket se sot janë marrë masa të jashtëzakonshme.
Organizata humanitare "China Human Rights Defender" denoncoi se dhjetëra disidentë dhe aktivistë, ndër të cilët avokati demokrat Teng Biao, janë bllokuar prej ditës së djeshme në banesat e tyre nga policia kineze për t'i ndaluar që të marrin iniciativa dhe të flasin me gazetarët e huaj.
Në një koicidencë të rrallë, për disa orë me radhë, në mënyrë misterioze disa faqe pornografike u rishfaqën në internet, të cilat normalisht censurohen. Në Kinë është normale që disa faqe në internet, që nuk përkojnë me preferencat e qeverisë, censurohen, si për shembull ato të tibetianëve dhe ato të organizatave kryesore humanitare ndërkombëtare, përfshi faqe të tjera të famshme si YouTube, Twitter dhe Facebook.
Një nga liderët e lëvizjes studentore të vitit 1989, Wuer Kaixi, i cili sot është 42 vjeç dhe jeton në Tajvan, u ndalua nga policia japoneze në Tokio ndërsa po përpiqej të hynte në Ambasadën e Kinës. Duke marrë në konsideratë se autoritetet nuk e kanë publikuar ende numrin ekzakt të viktimave të 4 qershorit, "Nënat e Sheshit Tian an Men", një organizatë grash të cilat humbën fëmijët në lëvizjen e vitit 19898, konfirmuan se do të vazhdojnë të kërkojnë sqarime për ngjarjet e asaj nate. "Nuk kemi frikë nga heshtja juaj, nuk do ta braktisim atë që nisëm...", kanë shkruar ato në një letër të hapur që u shpërnda disa ditë më parë drejtuar drejtpërdrejt autoriteteve të Pekinit.
/e.v/