English

Ksamil: Objekti Monumental Qe U Zbulua Dy Muaj Me Pare, Detyron Firmen E Ndertimit Te Ndryshoje Projektin Fillestar

KSAMIL, 4 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/. - Objekti monumetal që mendohet se i përket periudhës romake dhe që u zbulua rastësisht dy muaj më parë gjatë zgjerimit të rrugës Sarandë-Butrint, në vendin e quajtur "Manastiri", 3 km larg qytezës së Ksamilit, ka detyruar firmën ndërtuese "Arti" të ndryshojë projektin fillestar. Ilir Papa, drejtor i Kulturës Kombëtare në Sarandë, bëri të ditur sot për ATSH-në se për të mbrojtur të padëmtuar objektin monumetal nga makineritë e rënda, është vendosur që firma zbatuese të ndërtojë një gjysëm urë, 12 metra larg faqes jugore. "Pas përfundimit të veprës (urës) me gurët ekzistues, do të bëhet anastilozë dhe konsolidim, në mënyrë që ajo të shfaqet nga rruga si muze për vizitorët", tha Papa. Ai theksoi se rruga që të çon tek Manastiri i Shën Gjergjit, do të jetë pjesë e këtij projekti, pasi aty është parashikuar të ndërtohet një rrethrrotullim dhe një shesh-pushimi. "Fatmirësisht objekti monumental, me përmasa 10 x 7 metra, nuk është prekur gjate punimeve të rrugës", theksoi Papa, duke shtuar se, "ky zbulim cilësohet si një monument më shumë që i shtohet pasurise së guidave turistike në këtë zonë". Zgjerimi i aksit rrugor Kanali i Çukës -Butrint, me gjatësi 14 kilometra dhe vlerë 650 milionë lekë, financim nga buxheti i shtetit, ka nisur në fillim të muajit shkurt. Sipas projektit, rruga ku me vështirësi shkëmbehen dy automjete, do të ndahet me dy korsi, nderkohe qe është parashikuar asfaltimit dhe ndriçimi i saj. /a.ke/
KOMENTE