English

Lindje E Mesme - Unicef: Fëmijët Vdesin Për Vonesat Në Kurim

GJENEVË, 4 qershor /ATSH-ANSA/ - Bllokada e Gazës shkakton një pritje shumë të gjatë për fëmijët që kanë nevojë për kura jashtë vendit, "aq sa disa prej fëmijëve kanë humbur jetën", konfirmoi sot Unicef në Gjenevë. "Në janar, një fëmijë dy vjeç i prekur nga një sëmundje në zemër, ndërroi jetë duke pritur një ndërhyrje tjetër mjekësore në Izrael e cila u shty për shkak të vonesave në dhënien lejes. Dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëntë fëmijë në Gaza humbën jetën gjatë vitit 2009 në pritje për të marrë trajtimin e duhur mjekësor jashtë vendit", shpjegoi për ANSA zëdhënësja e Unicef, Christiane Berthiaume. Në bllokadën e vendosur nga Izraeli që prej tre vjetësh tashmë, shumë progrese në Rripin e Gazës janë penguar, shtoi zëdhënësja. "Është një situatë ku më të dobëtit, kryesisht fëmijët që përfaqësojnë edhe më shumë se gjysmën e popullsisë në Gaza, paguajnë çmimin më të lartë. Kequshqyerja është në rritje dhe asnjë shkollë nuk është ndërtuar për shkak të mungesës së materialeve të ndërtimit", deklaroi Berthiaume. "Edhe dërgesat e Unicef hasin vonesa", shtoi ajo. /e.v/
KOMENTE