Mallakaster: Ne Amfiteatrin "Bylis" Prezantohet Kultura Ballkanike
FIER, 4 Qershor /ATSH-Rr.Isufaj/.-Rreth 10 grupe folklorike shqiptare dhe 3 grupe të huaja, prezantuan mbrëmë në skenën e amfiteatrit të qytetit ilir, "Bylis" polifoninë, si thesar i kulturës shpirtërore të trevave të tyre.
Festivalin e hapi grupi polifonik i Mallakastrës, për të vazhduar më pas me grupet konkuruese. Përveç artistëve popullorë, në festival merrnin pjesë muzikologë nga vendi dhe të huaj, politikanë, historianë, artistë etj.
Sipas kryetarit të Shoqatës "Polifonia Shqiptare", Yzeir Llanaj, të gjitha grupet që konkuruan natën e kaluar si, "Polifonia Shqiptare", "Bashkimi", "Krojet e Velcës", "Progronati", grupi i bashkuar i grave të Korcës, grupi i Semanit, grupet polifonike maqedonase, rumune, ai i Janinës, prezantuan vlerat e çmuara të polifonisë.
"Grupet që konkuruan ishin tepër dinamikë, duke percjelle shpirtin e gjallë artistik të popullit", tha Llanaj.
Sipas tij, rrymat e shumta muzikore që po venitin folklorin në përgjithësi dhe polifoninë në veçanti, meritojnë një kundërvënie nga artisti- popull, që në çdo kohë e rrethanë, ka ditur ta ruajë të pastër kulturën e tij.
"Me organizimin e festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare, folklori, thesari i trashëgimise artistike popullore, do të trashëgohet me gjithë bukurinë dhe madhështinë e tij", tha Llanaj. /a.ke/