Meta: Shqipëria, Në Një Të Ardhme Të Afërt Anëtare E Be-Së
- Zv. kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaron për ATSH-në se Shqipëria ka gjithë mbështetjen e BE-së në këtë proces -
POLIÇAN, 4 Qershor/ATSH-Andi Myrtaj/.- Zv. kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta deklaroi sot, për ATSH-në se "Samiti i Sarajevës përcolli mesazhin se, Shqipëria dhe vendet e tjera do të jenë në një të ardhme të afërt anëtare e Bashkimit Europian".
Meta inspektoi sot uzinën e demontimit të municioneve në Poliçan, ku i'u përgjigj interesimit të gazetarit të ATSH-së, mbi mesazhin që mori Shqipëria nga Samiti i Sarajevës.
"Samiti i Sarajevës përcolli mesazhin se Shqipëria dhe vendet e tjera do të jenë në një të ardhme të afërt, anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria ka gjithë mbështetjen e BE-së në këtë proces", tha ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Mesazhi më evident dhe i prekshëm i këtij Samiti, sipas z. Meta, ishte mbështetja unanime që të gjithë ministrat e Jashtëm të BE-së i dhanë propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Takimi i nivelit të lartë që u zhvillua në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë), në 2 Qershor bëri një vlerësim të progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit Evropian si dhe rikonfirmoi perspektivën e qartë evropiane të këtyre vendeve./m.m//n.m/