Nënshkruhet Marrëveshja Prej 50 Milionë Euro Me Bei-N Për Financimin E Rrugëve Rurale
TIRANE 4 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të financojë 50 milionë euro për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe rurale në Shqipëri.
Ministri i Financave Ridvan Bode bashkë me Zv/presidentin e BEI-it për Ballkanin Perëndimor, Italinë dhe Maltën Dario Scannapieco nënshkruan të premten në Tiranë marrëveshjen e financimit të këtij programi.
Duke vlerësuar angazhimin e BEI-it për financimin e projekteve të zhvillimit të qeverisë shqiptare, ministri Bode tha se "kemi ftuar BEI-n të financojë edhe projekte të tjera si rruga Tiranë-Elbasan, apo by-passi i Tepelenës".
"Ne vlerësojmë BEI-n për mbështetjen që po i jep ekonomisë dhe qeverisë shqiptare. Ajo sot është prezent në Shqipëri me një numër të madh projektesh që llogariten rreth 280 milionë euro, të cilat së bashku me financimin e sotëm, e kalon nivelin prej 300 milionë euro", deklaroi Bode.
Kreu i financave publike bëri të ditur se BEI është në negociata me qeverinë shqiptare për të marrë pjesë në financimin e projekteve prioritare dhe shumë shpejt një grup teknik i BEI-it do të vijë për të zhvilluar bisedime për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan me mbi 50 % të kostos së kësaj rruge dhe by- pass të Tepelenës.
Gjithashtu, Bode bëri të ditur se qeveria e ka ftuar BEI-in të marrë pjesë dhe në financimin e sektorit të ujësjellësit, konkretisht atë të Durrësit për të ndarë së bashku me BB këtë financim shumë të madh të infrastrukturës.
Ministri Bode ftoi gjithashtu BEI-n që të angazhohet për financime me terma atraktivë në sektorin e energjetikës, konkretisht për vënien në punë të HEC-eve të ngritura.
Duke u ndalur në marëveshjen e nënshkruar sot, Bode u shpreh se "marrëveshja me vlerë 50 milionë euro bëhet në kuadrin e programit për zhvillimin e 1500 km rrugëve rurale dhe komunale", që sipas tij, është në proces.
"Kjo kredi prej 50 milionë euro është pjesë e një pakete brenda këtij programi prej 400 milionë dollarësh i cili përmban financimin e tre institucioneve, 50 milionë euro nga BERZH, 50 milionë euro nga BEI dhe 33 milionë euro nga Komisioni Europian, si pjesë e programit IPA", tha Bode.
Me nënshkrimin e kësaj kredie dhe kompletimin e shumës prej 135 milionë euro, vlerësoi Bode, "ne çojmë financimet për programin e investimit të infrastrukturës rurale në mbi 300 milionë dollarë".
Ai bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të mbyllet e gjithë paketa e programuar me pjesmarrjen e fondit japonez për shumën e deklaruar prej 400 milionë dollarësh.
Ndërsa Zv/presidenti i BEI-it, Scannapieco, u shpreh i kënaqur që "të kontribuojmë në këtë program dhe në përgjithësi për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare".
"Kjo është një mënyrë thelbësore për të ndihmuar Shqipërinë bashkë me institucionet e tjera të përfshira në këtë program, që çon përpara integrimin europian të vendit", tha ai.
Banka Europiane e Investimeve (BEI) është prezente në Shqipëri që nga viti 1995 dhe totali i financaime nga ky institucion llogaritet rreth 350 milionë euro./n.m/