English

Papa: Vrasja E Peshkopit Në Turqi Nuk Ndikon Në Dialogun Me Botën Islame

ROMË, 4 qershor /ATSH-ANSA/ - Vrasja e përfaqësuesit të Vatikanit në Turqi nuk dot ë ndikojë në dialogun me botën islame, deklaroi sot Papa Benedikti XVI, në vizitë në Qipro ku do të takohet me peshkopin e Lindjes së Mesme para takimit të një këshilli të lartë (sinod) në Vatikan në vazhdim të vitit. Papa deklaroi se vdekja e Imzot Luigi Padovese, i vrarë dje nga shoferi i tij turk , "nuk duhet në asnjë mënyrë të hedhë hije mbi dialogun me botën islame". "Një gjë është e sigurt, nuk ishte një vrasje politike apo fetare", u shpreh Papa. Shoferi 26 vjeçar, Murat Altun, trajtohej me medikamente mjekësore për probleme psikike dhe shumë herë i deklaroi policisë se kishte pasur "Një Vizion të Shenjtë" ku atij i kërkohej të vrite peshkopin, njoftoi sot media turke. Padovese, 63 vjeç, Visari Apostullor i Anadollit, ishte peshkopi i dytë katolik që vritet në Turqi gjatë viteve të fundit, pas Atit Andrea Santoro, në vitin 2006. "Natyrisht që jam shumë i hidhëruar nga vdekja e Imzot Padovese, i cili ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në përgatitjen e sinodës së këshilltarëve dhe do të kishte qenë një faktor i rëndësishëm në bisedimet në Qipro," deklaroi Papa, i cili paraditen e sotme mori një mesazh ngushëllimi nga presidenti turk, Abdullah Gyl. "Por nuk dëshirojmë që kjo tragjedi të ndikojë në dialogun me botën islame, që do të jetë tema kryesore e udhëtimit tim", theksoi ai. Në referencën e bërë për sinodën e këshilltarëve në Vatikan në datat 10-24 tetor, Papa theksoi se shpreson se do të forcojë si dialogun mes të krishterëve po ashtu edhe "kapacitetin tonë të përbashkët për dialogu me boten islame", u shpreh ai. Myslimanët "janë vëllezërit tanë, pavarësisht diferencave mes mesh," theksoi Papa. Papa Benedikti ka bërë përpjekje maksimale për përmirësimin e marrëdhënieve me botën islame që pas irritimit që ai shkaktoi tek myslimanët nëpër botë me komentet e bëra në vitin 2006, gjatë një ceremonie në Regensburg, Gjermani. Kritikët interpretuan referencat e Papës për një perandor mesjetar, i cili e përshkruante islamizmin si besim ''të dhunshëm'', si një përfaqësim të këndvështrimeve të tij. Që atëherë, Benedikti ka bërë përpjekje të panumërta për të arritur dialog ndërfetar si përparësi./ /i.p/
KOMENTE