English

Pd: E Paligjshme Kërkesa E Deputetëve Të Ps-Së Për Dieta

TIRANË, 4 Qershor/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu e konsideroi sot "të paligjshme dhe të turpshme" kërkesën e deputetëve socialistë për dieta, gjatë ditëve të qëndrimit tyre në grevën trejavore të urisë. "Protesta e deputetëve socialistë për dieta ishte qesharake dhe e turpshme. Edhe kur vijnë në Parlament ata merren vetëm me interesat e tyre personale, meskine. Gjatë këtyre ditëve ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, në kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit", tha në deklaratën e tij deputeti Shehu. Ai iu referua Kodit të Punës (nenit 197), sipas të cilit "grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët. Edhe kur greva është e ligjshme gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës". Gjatë seancës së djeshme në Kuvend kryeparlamentarja Topalli, duke iu përgjigjur pretendimeve të deputetëve të PS-së për mospërfitim të dietave, tha se "nuk mund të ketë dieta për ditët e grevës së urisë". Ajo iu kërkoi përfaqësuesve të opozitës në parlament që të mos e sulmojnë administratën e Kuvendit për këtë çështje, për të cilën, Topalli tha se "është respektuar rregullorja dhe statusi i deputetit"./n.m/
KOMENTE