English

Prodhuesit Shqiptarë, Takim Mbarëkombëtar Për Përmirësimin E Prodhimit Të Verërave

TIRANË, 4 Qershor/ ATSH - Gjergji Mima/ - Prodhuesit kryesorë të verërave në vendin tonë u mblodhën sot në takimin e 9-të Mbarëkombëtar për vreshtarinë dhe verëtarinë, të organizuar nga firma italiane e verërave, "Vivai Cooperativi Rauscedio" dhe firma "Agroherbal". Në takim u prezantua albumi më i ri "Vreshta dhe kantina shqpitare", autor i të cilit janë 50 prodhuesit kryesorë shqiptarë dhe kosovar. Në album jepet një tablo e kantinave kryesore në Shqipëri dhe Kosovë, mënyra e prodhimit të verërave, sasia e prodhimit, cilësia etj. Andrea Shundi, një nga personazhet kryesore të verëtarisë shqiptare dhe autor i librit "Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë", tha për ATSH-në se, "ky takim zhvillohet që prej 9 vitesh në vendin tonë, ku mblidhen prodhuesit kryesorë të verërëve në Shqipëri dhe Kosovë". Ndërsa përfaqësuesi i firmës italiane "Vivai Cooperativi Rauscedio", Cesare Tiberio u shpreh për ATSH-në se, "firma VCR, më e madhja në botë për prodhimin dhe shpërndarjen e verërave, ka hyrë në Shqipëri që në vitin 1994. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është përparimi tërësor në prodhimin e verërave në Shqipëri". Nga përfaqësuesit e firmës italiane u bë një prezantim për të trajnuar prodhuesit shqiptar mbi mënyrën e ruajtjes së vreshtave nga viruset dhe sëmundjet e ndryshme që mund t'i prekin në mënyrë që të kenë një prodhim sa më të shumtë dhe më të mirë. Gjithashtu u prezantuan edhe teknikat më të reja të prodhimit dhe shpërndarjes së verërave, të cilat së shpejti do të aplikohen edhe nga prodhuesit shqiptarë./a.gj/
KOMENTE