Sejdiu Viziton Prokurorinë E Shtetit: Sundimi I Ligjit Është Interes I Kosovës
PRISHTINË, 4 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Sundimi i ligjit është interesi i Kosovës, theksoi sot Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë një vizite në Prokurorinë e Shtetit.
"Prokurorët do ta kenë mbështetjen time të parezervë për zbatimin e përgjegjësive që kanë institucionet e sundimit të ligjit në misionin dhe përgjegjësitë e tyre, kurse politika duhet të jetë jashtë ndikimit në sistemin e prokurorisë dhe atë gjyqësor të Kosovës", tha ai.
Gjatë takimit me Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashin, si dhe me Kryeprokurorin e EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk, Presidenti Sejdiu tha se e përkrahte plotësisht punën e Prokurorisë dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi në fushën e sundimin e plotë të ligjit dhe zbatimin e përgjegjësive që kanë institucionet e sundimit të ligjit në misionin e tyre.
Ndërsa, Kryeprokurori Kabashi, duke vlerësuar vizitën e Presidentit Sejdiu në Prokurorinë e Shtetit si shenjë të përkrahjes së fuqishme për punën e Prokurorisë dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, tha se prokurorët në të ardhmen do të japin kontributin e tyre për sundimin e ligjit dhe luftimin e të gjitha dukurive negative, të cilat e pengojnë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Evropës. /s.s./