English

Sherefedin Shehu: Ja pse nuk jepen dieta për grevat e urisë

Tiranë, 4 qershor, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu në konferencë për mediat akuzoi sot deputetët e Partisë Socialiste për papërgjegjshmëri dhe për kërkesa që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit.

Shehu ju referua kërkesës së deputetëve të PS-së për dieta dhe shtesë në paga. “Kodi i Punës, në nenin 197, thotë se “grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët”. Por po ky kod thotë se “edhe kur greva është e ligjshme, gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës”. Pale të kërkohen dieta”, u shpreh Shehu.

Ai e lidhi kërkesën e PS me ditët që ata ishin në grevë urie. “Edhe kur vijnë në Parlament, ata merren vetëm me interesat e tyre personale meskine. Gjatë gjithë këtyre ditëve, ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, ne kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit”, tha Shehu.

Ai theksoi se kërcënimi i deputetëve të PD për t’u shpërblyer me dieta për ditët e grevës “ishte shfaqja më banale e një deputeti, që ka për mision jo dietat e tij të paligjshme, por përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve”.

m.xh/NOA

KOMENTE