English

Sociale/ Emigrimi I "Trurit", Problem Serioz Për Shoqërinë Shqiptare

TIRANË, 4 Qershor/ ATSH, Gjergji Mima/ - Problemet e emigrimit të trurit nga Shqipëria dhe sfidat e së ardhmes për riafrimin e tij në vendin tonë, janë diskutuar sot në një tryezë pune, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) dhe fondacioni gjerman, Friedrich Ebert Stiftung, në hotel "Rogner". Në takim, zv/minstrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, foli për përpjekjet e qeverisë shqiptare për rikthimin e trurit në Shqipëri. Duke e quajtur si mjaft të rëndësishëm tematikën e emigrimit të trurit, si një problem që haset gjithmonë, ajo tha se "tashmë s'jemi më në fazën filestare, pasi kemi kryer tashmë disa politika dhe strategji në këtë drejtim, siç është edhe strategjia "Brain Gain". "Në vitin 2005, rreth ¼ e popullsisë jetonte jashtë kufijve. Në vitin 2007 llogariteshin rreth 4500 persona që kryenin arsimin e lartë jashtë Shqipërisë, ku rreth 66% e atyre që kanë kryer doktoraturën, nuk janë kthyer më. Ndërkohë rreth 2000-4000 studentë largohen çdo vit me studime jashtë. Pra problemi është ende aktual", tha malaj, që shtoi se përpjekjet nga MASH nuk kanë munguar. Përfaqësuesja e EMA-s, Blerta Hoxha theksoi se, "përgjatë viteve 90' Shqipëria është prekur shumë nga ikja e personave me arsim të lartë". Sipas saj, ky është një fenomen që vihet re në të gjitha vendet e Evropës lindore, ku emigrimi i trurit vihet re se ka qenë mjaft i përhapur gjatë periudhës së tranzicionit në vitet 1990-1996 dhe në vitet 1997-1999. "Largimi i trurit sjell uljen e ndjeshme të kthimit të investimit publik, gjë që sjell efekte negative në rrijten qëndrueshme eknomike të vendit", tha ajo. Sipas Hoxhës, "në periudhën e viteve 2000-2006 ka pasur përpjekje sporadike për thithjen e trurit në Shqipëri, por ndryshimi i vërtetë në këtë drejtim ka ndodhuar nga viti 2006 deri sot, pasi qeveria shqiptare ndërmorri disa përpjekje strategjike, mes të cilave edhe programi 'Brain Gain", që synon rikthimin e personave me arsim të lartë që kanë mbaruar shkollat jashtë vendit, në Shqipëri". Gjithsesi, ajo pranon, se ka ende për të bërë në këtë drejtim. "Brain Gain sot operon vetëm brenda administratës dhe institucioneve shtetërore, ndërsa në të ardhmen duhet shtrirë edhe në sektorin privat", tha Hoxha./n.m/
KOMENTE