English

Sport-Dossier/ Botërori Itali 1990, Gjermania Kampione Për Herë Të Tretë

- Në botërorin e zhvilluar në Itali, përfaqësuesja e Gjermanisë Perëndimore arriti që të mposhte ekipin e Argjentinës në finalen e madhe të zhvilluar në Romë 1-0 -. TIRANË, 4 Qershor /ATSH - Gjergji Mima/ - Gjermania Perëndimore ngriti për herë të tretë Kupën e Botës në 1990-n pas triumfit ndaj Argjentinës (1-0). Katër vite më parë, mbajtësit e titullit kishin dalë fitues në duelin me RFGJ, por tashmë gjermanët morën revanshin në Romë. Fitorja e tyre qe një triumf i vërtetë për Franz Beckenbaruerin, i cili u bë i dyti në botë që e kishte fituar kurorën e artë një herë si lojtar e më pas si trajner. Finalja e 1990-s vendosi një rekord të padëshiruar si turneu me më pak gola të shënuar, me një mesatare prej rreth 2.21 gola për ndeshje. Por, natyrisht nuk munguan tonet dramatike në këtë Kupë Bote. Ndeshja e hapjes e këtij turneu shënoi vetëm një nga çastet e palumtura të tij: Kameruni mundi Argjentinën në një ndeshje të mrekullueshme në San Siro. I kryesuar nga Roger Milla në orët e tij më të mira, Kameruni do ecte përpara duke shkruar histori. Ndërkohë, për Italinë ishte hera e dytë që po organizonte Kupën e Botës. 56 vjet më vonë nga triumfi i tyre në 1934, ata siguruan një organizim shumë të mirë e pak të kushtueshëm. 10 stadiume në të gjithë vendin u rikonstruktuan dhe ndërkohë u ndërtuan 2 të reja (në Bari dhe Torino). Tashmë maskoti qe një kukull e quajtur "Ciao", por për tifozët italianë shpejt kjo u zëvendësua nga Salvatore Schillaci, idhulli i tyre për këtë turne. Ai nuk kishte shënuar asnjë gol në arenën ndërkombëtare para qershorit 1990. - Favoritët neutralë Raundi i parë i turneut vajti pak a shumë siç e kishin parashikuar, përveç surprizës që bënë të sapoardhurit e Kosta Rikës duke mundur, si Skocinë ashtu edhe Suedinë, duke u kualifikuar në 16 skuadrat më të mira të turneut. Ndërkohë, Irlanda, e drejtuar nga ish-trajneri anglez, Jack Charlton, i shtoi më shumë 'kripë' turneut duke u kualifikuar në 8 skuadrat më të mira. Gjithsesi, këto arritje as nuk krahasoheshin me vrapin e Kamerunit drejt çerekfinaleve. Ata e merituan titullin si skuadra neutrale më e favorizuar me 38-vjeçarin Milla si yll shndëritës. Golashënuesi veteran u desh të bindej të rikthehej në skuadër se ishte tërhequr pasi ishte bërë gati për pension. Por, sapo vuri këmbë në Itali, ai shënoi që në ndeshjen kundër Rumanisë, dy gola këta që e dërguan Kamerunin në raundin e dytë. Ai e përsëriti performancën e tij edhe me Kolumbinë, duke e kaluar kështu një skuadër afrikane për herë të parë në çerekfinale. Ata mund të kishin shkuar më tej, nëse nuk do të kishte qenë për dy golat me penallti që bëri Gery Lineker për Anglinë, në një ndeshje e cila deri në ato momente shihte Kamerunin kryesues (me një rezultat 2-1). Gjithsesi, hungërima e luanëve u dëgjua edhe pas 4 vitesh, kur Afrika do të kishte sërish një përfaqësues në Kupën e Botës në 1994. Ndërsa për Anglinë e udhëhequr nga Paul Gascoigne, fitorja ndaj Kamerunit do të thoshte një biletë për në gjysmëfinale, e para që prej 1966-s. Por fati (i keq për ta) i përballi me rivalët e vjetër të RFGJ-së, në një ndeshje të vendosur nga penalltitë dhe të kujtuar gjithmonë për lotët e Gascoigne-it. Anglia qe testi më i vështirë që hasën gjermanët rrugës për në finale. Gjermania "e udhëhequr" nga trioja e Interit të Milanos: Lothar Matthaus, Jurgen Klinsmann dhe Andreas Brehme, pati shijuar avantazhin "e shtëpisë" në San Siro në 5 ndeshjet e para përfshi këtu një fitore të thellë 4-1 ndaj Jugosllavisë dhe një humbje që i shkaktuan Holandës që zhgënjeu pa masë tifozët e saj. - Toto - heroi i papritur Në këtë kompeticion Italia provoi në lëkurën e saj se avantazhi i shtëpisë të ndihmon deri në njëfarë pike. Rruga për në gjysmëfinale përfshinte një gol magjik të Roberto Baggios, kundër Çekosllovakisë dhe një rekord pritjesh të portierit Walter Zenga, i cili për rreth 517 minuta qëndroi me portë të paprekur. Gjithsesi, heroi i tyre i papritur ishte syjeshili Schillaci, i cili shënoi 6 gola duke fituar "Këpucën e Artë". Për fat të keq, për skuadrën e Azeglio Vicinit, ëndrra italiane për titull përfundoi në Napoli dhe qe Argjentina ajo që i dha goditjen përfundimtare. Kjo nuk qe Argjentina e 1986-s, por gjithsesi Diego Maradona ishte përherë aty duke e dyzuar tifozerinë napolitane, e cila nuk dinte ç'të bënte mes adhurimit që kishte për të si prijës i Napolit, kampion i Serisë së Parë atë vit, apo kombëtares italiane. Frymëzim të mëtejshëm solli sulmuesi Claudio Caniggia, shënues në një raund të mëparshëm kundër Brazilit dhe portieri Sergio Goycochea. Ndërkohë, Nery Pumpido, i cili theu këmbën në ndeshjen e dytë, ishte zëvendësuar prej Goycocheas dhe ky kishte bërë shumë pritje gjatë ndeshjes me Brazilin dhe në raundin e penalltive ndaj Jugosllavisë në çerekfinale. Ai e përsëriti këtë gjë kundër Italisë dhe dy pritjet që i bëri ai penalltive e çuan Argjentinën në finale pas një barazimi 1-1. Ndërkohë, Goycochea nuk pati mundësi të përsëriste këto 'mrekulli' në Romë dhe u mund nga Brehme në minutën e 85-të në një penallti që vendosi fatin e Kupës së Botës. Argjentina u bë e para finaliste që nuk shënoi dhe e para që pati një lojtar të nxjerrë jashtë, Gustavo Dezotti. Një tjetër argjentinas doli me të kuqe dhe ky qe Pedro Monzon. 16 vite pasi e kishte udhëhequr skuadrën e tij drejt titullit më të madh në botë si kapiten, tashmë Beckenbauer po e shihte veten si trajneri kampion bote! Pasi fitoi titullin e saj të 3-të, Gjermania, Italia dhe Brazili numëronin nga tre të tillë si kombet më të suksesshme në këtë sport. - A e dini se? - Salvatore Schillaci shënoi 6 prej shtatë golave të karrierës së tij ndërkombëtare në finalet e Kupës së Botës që u zhvillua në Itali më 1990, çka i siguroi atij Këpucën e Artë të këtij turneu. - Në gjysmëfinalen midis Italisë dhe Argjentinës, kryesori Michel Vautrot shtoi tetë minuta në fund të pjesës së parë, pasi harroi të shihte orën. - Portieri i Anglisë, Peter Shilton, gjatë botërorit u thye pas dhjetë takimesh pas pësuar gol, ndërsa portieri i Italisë, Walter Zenga, arriti të mbronte portën e tij pa marrë gol për 517 minuta. - Kameruni u bë shembulli i vetëm në histori ku kryesuesi i grupit dilte me golavarazh negativ. Afrikanët fituan dy ndeshje me rezultatin e njëjtë (1-0) dhe humbën të tretën përballë Bashkimit Sovjetik, 4-0. - Ashtu sikur kundër Belgjikës në takimin e parë në Botërorin e 1982-shit (në Spanjë) mbrojtësit e titullit, Argjentina humbën 1-0 kundër ekipit (të mbetur me nëntë lojtarë) të Kamerunit. - Shifra dhe fakte Skuadra pjesëmarrëse: 24 Ndeshje të zhvilluara: 52 Gola të shënuar: 115 (me një mesatare prej 2.2 për takim) Shikueshmëria: 2516348 (me një mesatare prej 48391 shikuesish për ndeshje) Vendi I: Gjermania Perëndimore Vendi II: Argjentina Vendi III: Italia Vendi IV: Anglia ADIDAS Topi i Artë: Salvatore SCHILLACI (ITA) ADIDAS Këpuca e Artë: Salvatore SCHILLACI (ITA) FIFA Fair Play: Anglia Ekipet pjesëmarrëse Kameruni Egjipti Republika e Koresë Emiratet e Bashkuara Arabe Austria Belgjika Çekosllovakia Anglia Gjermania Perëndimore Italia Holanda Rep. e Irlandës Rumania Skocia Bashkimi Sovjetik Spanja Suedia Jugosllavia Kosta Rika SHBA Argjentina Brazili Kolumbia Uruguai /a.ke/
KOMENTE