Sport- Shtohet Lista E Mungesave Në Botëror, Edhe Drogba Jashtë "Afrika E Jugut 2010"
TIRANË, 4 Qershor /ATSH/ - Pas Esienit dhe Balakut, një tjetër futbollist i Çelsit i jep lamtumirën Kampionatit Botëror. Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, ka pësuar një dëmtim dhe shpresat janë minimale.
Sipas të përditshmes sportive franceze "L'Equipe", sulmuesi afrikan ka pësuar një dëmtim në krahun e djathtë gjatë miqësores së sotme përballë Japonisë. "Sulmuesi është dërguar menjëherë në spital për të mësuar më tepër mbi shkallën e dëmtimit. Pas ekzaminimeve, vetë lojtari ka pranuar se nuk mund të jetë në Kupën e Botës", shkruan gazeta franceze.
Edhe trajneri suedez i "luanëve", Sven Goran Erikson, ka konfirmuar se Drogba ka pësuar një dëmtim në bërryl. "Për momentin nuk e dimë sa i rëndë është dëmtimi, pasi po kryejmë kontrollet e nevojshme. Sigurisht që do të ishte një problem i madh nëse e humbasim. Ai është kapiteni ynë dhe një nga sulmuesit më të mirë në botë", theksoi Erikson.
Frikës nga dëmtimet nuk i ka shpëtuar as tekniku i kombëtares angleze, Fabio Kapelo. Kapiteni Rio Ferdinand ka pësuar një dëmtim në gju gjatë stërvitjes së paradites dhe është dërguar menjëherë në spital. Qendërmbrojtësi i Junajtid ka pësuar edhe dëmtime të tjera në shpinë gjatë sezonit. Fabio Capello e ka gjetur zëvendësuesin e Rio Ferdinand. Ai është mbrojtësi i Tottenham, Michael Dauson./s.s./