Studentët, Ndihma Për Fëmijët E Pavionit Të Onko-Hematologjisë
TIRANË, 4 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/.- Studentë të Universiteteve të ndryshme në Tiranë dhuruan sot medikamente të kemioterapisë dhe dhurata për pacientët e vegjël të pavionit të Onko-Hematologjisë në Spitalin Pediatrik, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Mbi 20 studentë të Shoqatës "Ardhmëria", me të ardhurat e tyre, mundësuan blerjen e medikamenteve të kemioterapisë për këta fëmijë, me një fond prej 100 mijë lekësh.
Ndërkohë, stafi mjekësor i këtij pavioni ka bërë apel për dhurim vullnetar të gjakut për të ndihmuar këtë kategori të pacientëve. Gjithashtu, ata i drejtuan një apel komunitetit të biznesit për të qenë më afër këtyre pacientëve, me organizimin e festave dhe aktivitete të ndryshme.
Drejtoria e QSUT-së ka përfunduar tenderimet për barnat e këtij viti dhe është në fazën e lidhjes së kontratave me firmat farmaceutike.
Lista e medikamenteve spitalore, sipas drejtorisë së QSUT-së, "këtë vit është më e gjërë si gamë, me sasi me të mëdha në krahasim me vitet e tjera dhe në përmbajtje të listës ka ilaçe terciare në përshtatje me natyrën e shërbimit tonë spitalor"./s.s./