Të Drejtat E Njeriut-Diskutohet Zbatueshmëria E Legjislacionit Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi
TIRANË, 4 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ -Shkëmbimi i përvojave rajonale lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi, si edhe të përvojave për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në këtë fushë, ishin në qendër të Konferencës "Për mbrojtjen nga diskriminimi", organizuar sot nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Hotel "Mondial".
Në takim u diskutua mbi çështje të diskriminimit të pakicave në Shqipëri, si dhe hapat që duhen ndërmarrë për rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve shtetërore dhe e publikut më të gjerë lidhur me këto çështje, bashkëpunimi i të cilëve do të çonte në zbatimin e ligjit për këtë problem.
Në konferencë u soll përvoja italiane në drejtim të zbatimit të ligjit kundër diskriminimit. Profesorë nga Universiteti i Perugias dhe Bolonjës u ndalën në bazën ligjore të shtetit italian që lidhet me të drejtën e mosdiskriminimit, duke theksuar se faktorët e diskriminimit janë të shumtë, si seksi, prindërimi, origjina etnike, orientimi seksual, handikapi, etj.
Gjatë takimit, Shaban Sinani, anëtar i Asamblesë së KSHH, referoi temën "Mosdiskriminimi i tjetrit si cilësi etnotipike e shqiptarëve". Ai u ndal tek toleranca fetare e shqiptarëve, duke theksuar se "toleranca fetare tek shqiptarët nuk është cilësi e zhvilluar në kohët moderne dhe as e formuar me arsim e shkollë. Ajo është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve".
Sipas Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, fusha të veçanta të diskriminimit lidhen me gjininë, statusin martesor, racën, besimin, etj.
Ligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi" është miratuar nga Kuvendi në datën 4 shkurt 2010 dhe ka për qëllim t'i sigurojë çdo personi të drejtën për barazi para ligjit dhe mbrojtje të barabartë prej tij.
Për zbatimin sa më të mirë të ligjit është krijuar institucioni i Komisionerit për të Mbrojtjen nga Diskriminimi./s.s./