English

Thaçi, e ka hetuar

Thaçi, pra, e ka nisur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar porse EULEX-i ia rrëmbeu atij këtë luftë prej dorës dhe, për më tepër, qytetarët e Kosovës po i duken shumë mosmirënjohës për këtë nismë të tij të kahershme

Nga Albin Kurti*

I nxori para kamerave kryeprokurorin, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe shefin e policisë. Në ditën e parë të javës dhe të nesërmen e zgjedhjeve të Serbisë që u mbajtën në Mitrovicë dhe Artanë. Por, kjo konferencë shtypi s’kishte lidhje me zgjedhjet e Serbisë. Kryeministri, Hashim Thaçi, sikurse edhe krerët e tjerë të institucioneve, Kosovën tashmë e trajtojnë si Kosovë pa veriun e madje edhe pa komunat me shumicë serbe. Natyrisht që nuk e thonë këtë, por kështu bëjnë – atëherë kur veprojnë dhe atëherë kur nuk veprojnë.

As 24 orë nuk kishin kaluar prejse Serbia publikisht e kishte konfirmuar sovranitetin e saj brenda territorit të Kosovës.

Pse duhej që kryeministri Thaçi mu në atë konferencë të na rrëfente për sigurinë publike në terma të luftës kundër korrupsionit kur momenti ishte të merrej me sigurinë shtetërore në terma të luftës për sovranitet e integritet territorial? Shmangia e vëmendjes së qytetarëve nga shteti i nëpërkëmbur te pretendimet për pushtet efikas nuk janë shpjegim i mjaftueshëm.

Përgjithësisht, kryeministri Hashim Thaçi nuk shpjegon gjë. Prandaj, vetë atë duhet ta shpjegojmë. Zotimi i përsëritur i tij për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të përbënte lajm. Intonacioni i ngritur i retorikës nuk do t’ua mbushte mendjen gazetarëve. Çfarëdo premtimi i tij për të ardhmen vështirë të merrej seriozisht prej ndokujt. Prandaj Thaçit i mbetej vetëm e kaluara për të lançuar lajm.

Tha që ky e ka nisur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Dhe, megjithatë, nuk u durua pa u vetëpërgënjeshtuar – tha që ky është prijës i kësaj lufte. Për aq sa i ndoqa lajmet, nuk dëgjova të ketë treguar se kur saktësisht e kishte nisur këtë luftë dhe si.

Rrjedhimisht, lihej të kuptohej që ky e paska filluar luftën para EULEX-it dhe, meqë s’foli për mënyrat a betejat, mbase ato kishin qenë sikurse këto të EULEX-it. Por, i vetmi veprim i tij që më kujtohet të jetë lidhur me luftën kundër korrupsionit është riformatizimi i kabinetit qeveritar.

Shumë e çuditshme, gjithsesi. Sepse kurrë nuk na u sqarua konkretisht se si na paskan qenë të korruptuar Idriz Vehapi, Zenun Pajaziti, Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri. Kuptimi i riformatizimit doli të ishte ajo që mbeti e njëjtë pas tij, ajo që nuk ndryshoi, e jo ndërrimet e (posteve të) figurave. Ndërkaq, qëllimi i tij ndodhet përbrenda metodës së vjetër të zëvendësimit: të bëhet diçka tjetër në vend të asaj që duhet bërë, porse të paketohet ashtu sikurse ajo që s’është bërë. S’besoj të jetë e rastësishme që Thaçi u detyrua të na e kumtojë lajmin se ai na e paska nisur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai e dinte që ne nuk e dimë këtë gjë (sic.).

Bërja e luftës kundër korrupsionit përmes bërjes së lajmit për të nuk e shter domethënien e kësaj konference. Shpallja e vetes si luftëtar i orëve të para të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk synon, thjesht, legjitimitet nëpërmjet origjinës. Thaçi dëshiron të na bëjë të besojmë që ai po ndjehet si viktimë.

Thaçi, pra, e ka nisur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar porse EULEX-i ia rrëmbeu atij këtë luftë prej dorës dhe, për më tepër, qytetarët e Kosovës po i duken shumë mosmirënjohës për këtë nismë të tij të kahershme.

Ndoshta kjo konferencë nuk ka pasur arsye. Ajo mund të jetë shtyrë thjesht prej ndonjë shkaku. Nga bastisjet që EULEX-i ua bëri zyrave të MTPT-së më 28 prill 2010, Thaçit i ka mbetur hatri për shkak se ai u zhvlerësua në sytë e opinionit publik si kryeministër i vendit. Aura e tij prej politikanit më të fuqishëm u dëmtua pakthyeshëm. Ankesat e tij të një jave më vonë pse EULEX-i nuk e njoftoi paraprakisht për bastisjet e kryera, kanë mu këtë kuptim: ai po i qahej EULEX-it pse nuk u kujdesën që ta evakuonin me fytyrë prej asaj situate. Ai nuk kërkoi që të pyetej për të fituar. Ai kërkoi që të njoftohej për të shpëtuar.

Pikërisht ky është momenti kur Thaçi iu hodh në përqafim EULEX-it. Prokurori Johannes van Vreeswijk e kishte kuptuar këtë gjë. Ai e goditi dhe e poshtëroi Thaçin publikisht ashtu siç bëjnë gangsterët me të dashurat e tyre lazdrane teksa këto u përgjërohen. Secili realizim kinematografik i zhanrit Film Noir e ka së paku një skenë të tillë.

Meqë imagjinarja kolektive e qytetarëve të Kosovës për këtë rast kishte këso strukture, militantët partiakë nëpër kafenetë e Prishtinës si rrufeja e përhapën lajmin se Johannes van Vreeswijk na qenka homoseksual. (Ndoshta ai edhe është homoseksual dhe kjo sigurisht që s’ka rëndësi, porse thashethemet kishin funksion dyfishues: e ribënë prokurorin simbolikisht ashtu siç ai eventualisht ishte emotivisht dhe seksualisht.) Përdhunimi i dashnores së lazdruar do të mund të rikuperohej sadopak vetëm duke e shpallur gangsterin homoseksual. Gangsteri njëmend e rrahu të dashurën, mirëpo ai, në të vërtetë, s’ka mundur t’i bëjë gjë asaj, apo jo?

Paradoksi i kryeministrit (Thaçi) është që ai s’bëhej dot kryeministër pa ia dëshmuar Brukselit që e mirëpret EULEX-in dhe do t’i bashkërendohet atij (kujto vizitën te Solana në shtator 2007) ndërsa, në anën tjetër, pikërisht për shkak të kompetencave ekzekutive të EULEX-it ai s’mund të jetë një kryeministër (normal). Shembull shkollor i paradoksit të Bertrand Russellit te teoria e bashkësive. Duket që Thaçi ka menduar që EULEX-i do t’i ketë disa të drejta jonormale të cilat normalisht që nuk do t’i shfrytëzojë. Mirëpo, nëse shqiptarëve u jepen të drejta që dihet se nuk do (të mund) t’i shfrytëzojnë për shkak të politikanëve të shantazhuar (p.sh. moszbatimi jo vetëm në veri i Kushtetutës), EULEX-it i janë dhënë ato të drejta pikërisht që t’i shfrytëzojë.

Ndoshta Thaçi është nisur prej vetes kur e ka menduar EULEX-in: institucionet e Kosovës kanë të drejtë t’i pengojë zgjedhjet në veri, por as që u shkon ndërmend kjo gjë. Ose, ndoshta Thaçi nuk ka menduar fare - ka vepruar në stihi në stilin: le të bëhem njëherë kryeministër e mendoj më vonë!

Të jesh me hetuesit apo me të hetuarit? Kjo është çështja sot. Në fakt, kjo ishte çështja dje. Thaçi po e ndërron anën. Nga kryeministër i një Qeverie të hetuar siç është tani, aspiron të bëhet hetues (i kujt?). Kjo tregon që Thaçi po e ndjen se fitues këtu do të dalë hetuesi andaj e bëri këtë lëvizje në drejtim të fituesit; më parë preferon që ta ketë koleg hetuesin sesa të hetuarin; dëshiron që dalëngadalë të distancohet nga Fatmir Limaj dhe t’i hedhet edhe në një përqafim final EULEX-it. Natyrisht që nuk mund ta bëjë këtë përnjëherë dhe menjëherë meqenëse do të dekonspirohej, por e bën kështu me ngadalë dhe pak e nga pak.

Ai nuk do që të detyrohet të përgjigjet e të flasë më si i hetuar por si hetues. Ai nuk dëshiron të tingëllojë më si Fatmir Limaj por si Johannes van Vreeswijk. E ka hetuar Thaçi që duhet të jetë me hetuesit. Qofshin ata edhe homoseksualë. E ka hetuar Thaçi. Nuk e tha kot ai të hënën që ‘bashkëpunimi me EULEX-in dhe mekanizmat e tjerë do të jetë i ngushtë dhe mbështetës’.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Vetëvendosje!

KOMENTE