English

Ali Ahmeti në 8-vjetorin e BDI: Na prijnë interesat e shqiptarëve

Tetovë, 5 Qershor, NOA – Bashkimi Demokratik për Integrim ka përpara sfida të reja të cilat reflektojnë edhe më tej frymën e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.

Një fakt të tillë e ka pohuar kreu i kësaj force politike shqiptare në shtetin fqinj, Ali Ahmeti, në ceremoninë e mbajtur me rastin e 8-vjetorit të themelimit të saj.

“Për tetë vite me radhë, jemi përpjekur që të realizojmë synimet historike të shqiptarëve duke e mbështetur angazhimin tonë mbi vlerat kyçe të barazisë, lirisë dhe solidaritetit, kemi dëshmuar se politika mund të realizohet vetëm mbi vlerat e njerëzores dhe mund të gëzojë përkrahjen e popullit vetëm nëse i përmbahet marrëveshjes me të. Për tetë vite me radhë koncentruam angazhimin tonë politik, në realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse në themelet e kësaj Marrëveshjeje është vendosur sakrifica jonë kolektive, lufta jonë për barazi dhe drejtësi si dhe orientimi euro-atlantik i shqiptarëve si njeri ndër popujt më të vjetër të Evropës”, ka theksuar Ahmeti.

Duke folur për partinë shqiptare, bashkëqeverisëse në Maqedoni, ai vuri në dukje fatin se programi i BDI-së nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç se anëtarësimi në NATO dhe BE.

“Edhe asnjë alternativë tjetër përveç barazisë së plotë mes shqiptareve dhe maqedonasve si garanci e stabilitetit dhe zhvillimit të vendit”, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

n.e/NOA

KOMENTE