Amc Dhe Korpusi I Vullnetareve, Aksion Ne Dobi Te Mjedisit
TIRANE, 5 Qershor/ATSH/- Forumi i Mendimit të Lirë dhe Korpusi i Vullnetarëve, i mbështetur nga kompania mobile AMC organizuan një aksion masiv të radhës për pastrimin e zonës bregdetare të Gjirit të Lalëzit në rrethin e Durrësit nga papastërtitë, bashkë me një fushatë ndërgjegjësimi për ruajtjen e mjedisit, sot në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit.
Me këtë aktivitet, AMC ju bashkua mbrojtjes së mjedisit në ditën kur në të gjithë botën organizohen aktivitete masive në mbrojtje të natyrës.
Ky është viti i dytë rradhazi që AMC mbështet Korpusin e Vullnetarëve në realizimin e aksioneve në dobi të mjedisit, ku qëllimi nuk është vetëm pastrimi i tij nga mbeturinat, por edhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të hapësirave për rëndësinë që ka mbrojtja e tyre. Si dhe vjet, në këto aksione u përfshinë edhe punonjës të AMC që j'u bashkuan në terren vullnetarëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit në aksionin për pastrimin e zonës turistike të Gjirit të Lalzit u përfshinë mbi 150 vullnetarë nga qytetet e Tiranës, Durrësit, banorë të zonave përreth dhe punonjës të pushtetit vendor.
Në këtë aksion, u pastrua pjesa e bregdetit dhe pyllit pranë nga mbetjet e pushuesve të pakujdesshëm, ndërsa vullnetarët mundën të komunikonin me pushues dhe biznese lokale për ruajtjen e mjedisit. Në përfundim të aksionit të organizuar nga Korpusi i Vullnetarëve dhe AMC plazhi dhe zona e pyllit në Gjirin e Lalëzit përreth kishte rreth 100 thesë mbeturina më pak.
Në politikat e saj, AMC ka mbështetur përherë nismat në të mirë të mjedisit, pasi vlerëson se është shumë i rëndësishëm raporti harmonik midis veprimtarisë së përditshme dhe kujdesjes ndaj mjedisit./n.m/